Ndryshimet e FSHF-së/ Kaosi me kampionatet e moshave, akademitë bëhen gati për gjyq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2022 | 9:05

Ndryshimet e FSHF-së/ Kaosi me kampionatet e moshave, akademitë bëhen gati për gjyq

Në ambientet e FSHF-së dje është hedhur shorti për sezonin e ri të kampionatit të Kategorisë Superiore për grupmoshën U-21.

shorti

Tani mbetet që të përcaktohet struktura dhe të hidhet shorti për sezonin e ri në Kategorinë e Dytë, si dhe Kupa e Shqipërisë.

Shorti i kampionatit U-21 u drejtua nga specialisti i garave në FSHF, Erald Shera, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësues të klubeve pjesëmarrëse, të cilët u njohën me kalendarin e plotë të sezonit 2022- 2023.

Sipas vendimit të Komitetit Ekzekutiv, kampionati i Kategorisë Superiore për grupmoshën U21 do të nisë më 7 shtator dhe pritet të përfundojë më 10 maj 2023.

Në këtë kampionat do të marrin pjesë 10 ekipe, të cilat janë Vllaznia, Dinamo, Tirana, Kukësi, Partizani, Bylis, Teuta, Egnatia, Apolonia, Korabi.

Kampionati i Kategorisë Superiore për këtë grupmoshë do të zgjasë 27 javë dhe do të jetë i ndarë në tri faza, ku në fazën e tretë do të aplikohet përgjysmimi i pikëve në klasifikim, pas përfundimit të dy fazave të para.

Tri klube të Superiores, Laçi, Kastrioti dhe Erzeni, nuk janë përfshirë në kampionatin U-21 dhe janë zëvendësuar nga klube të Kategorisë së Parë, Dinamo, Apolonia dhe Korabi.

SHTYHET STARTI PËR U-19

Në mbledhjen e 29 qershorit, Komiteti Ekzekutiv pranë FSHF-së përcaktoi datat zyrtare të fillimit të të gjitha kampionateve që organizon qeveria e futbollit shqiptar. Sipas vendimit të KE-së, Kampionati i grupmoshës U-19 për Kategorinë Superiore do të niste më 4 shtator 2022 dhe përfundonte më 13 maj 2023.

Por ky vendim nuk do të zbatohet, pasi pa një arsye të detajuar, mësohet se federata e ka shtyrë pa afat të përcaktuar fillimin e kampionatit të kësaj kategorie.

Nuk dihet shkaku i shtyrjes, që mund të ketë të bëjë me mungesën e kushteve, apo pamundësitë e klubeve për të qenë gati për startin, apo presin diçka tjetër që mund të përmbysë mbarëvajtjen e aktivitetit.

Mbase shtyrja ka të bëjë edhe me faktin që të gjitha kampionatet e moshave të nisin në një datë, pasi kategoritë e tjera duhet të nisin më 17 shtator

SHPRESAT E TË PËRJASHTUARVE

Kampionatet e moshave i janë nënshtruar ristrukturimit, ku me ndryshimin e skemës dhe mbarëvajtjes, disa klube apo akademi private mbeten jashtë kampionateve elitare.

Por, shpresa vdes e fundit dhe të përjashtuarit po shqyrtojnë mundësitë për t’u përfshirë sërish në skemën elitare.

Sytë e tyre mbeten nga dyert e gjykatave, ku fillimisht presin vendimin që do të merret për certifikimin e zgjedhjeve të strukturave të reja të FSHF-së në asamblenë e fundit.

Nëse kjo gjë nuk realizohet, pritet që klubet dhe akademitë e përjashtuara të padisin FSHF-në në gjykatë, për padrejtësinë që u është bërë, pasi një pjesë e tyre nuk kanë rënë nga elita as sportivisht.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"