Ndreu: Boll me luhatjet, ta mundim Burrelin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2023 | 11:39

Ndreu: Boll me luhatjet, ta mundim Burrelin

Kastrioti nuk ka kohë që të “qajë” humbjen në Elbasan. Ndeshja e radhës është në prag, pasi vetëm të dielën do të luajnë me Burrelin.

ramadan ndreu

Do t’i presin matjanët në “Redi Maloku” dhe llogaritë bëhen me kthesën. Marrja e pikëve është kthyer sa në mision aq edhe domosdoshmëri dhe kësaj i mëshon fort edhe Ramadan Ndreu. Trajneri nuk dëshiron që të dorëzohet, ndonëse është i zhgënjyer me luhatjet që skuadra e tij po tregon nga java në javë, por edhe brenda një ndeshjeje. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai kërkon që të paktën të shmangen gabimet në shtëpi.

“Kastrioti është larg pritshmërive. Ka rritje, por edhe luhatje në lojë. Kjo po shoqërohet me mungesë pikësh. Kjo na ndodhi edhe me Elbasanin, ku ndeshja u zhvillua me dy tablo. Pjesa e parë u shoqërua me shumë gabime në mbrojtje. Thuajse ua dhuruam vetë golat vendësve. Për gabime individuale, u ndëshkuam me gola më se të evitueshëm. Pjesa e parë ishte e dobët. U mundova të ndryshoj diçka në formacion, por zëvendësimet nuk rezultuan efikase. Në pjesën e dytë, pavarësisht golave që pësuam, ekipi reagoi mirë. Edhe mund të barazonim rezultatin, sepse më shumë nuk meritonim. Skuadra ka nevojë për përmirësim në repartin e mbrojtjes në ndeshjen e radhës ndaj Burrelit do të bëj disa ndryshime në këtë repart. Por edhe në mesfushë. Burreli ka marrë vlerësimin tonë maksimal. Do të luajmë përballë tifozërisë sonë dhe mendoj se është momenti i duhur për të kërkuar vetëm tri pikët”, tha ai.

I vetmi që do të mungojë në këtë takim është Donald Saliaj, i cili u dëmtua në “Elbasan Arena”. Mesfushori nxori krahun pak para se të mbyllej pjesa e parë dhe do t’i duhet kohë për t’u rikuperuar.

SHKËLQIM HASANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"