Ndeshja vendimtare për Kukësin, Devolli: Duam të bëjmë historinë, fundi mbahet mend

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 12:01

Ndeshja vendimtare për Kukësin, Devolli: Duam të bëjmë historinë, fundi mbahet mend

Kukësi luan me Skënderbeun me synimin e vetëm për të dalë me tri pikë, ndonëse janë të vetëdijshëm se tanimë jo çdo gjë varet në dorën e tyre. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” para kësaj ndeshjeje, trajneri Bledar Devolli është optimist, pasi më në fund duket se nuk do të ketë më probleme me dëmtimet, edhe pse mbetet ende në mëdyshje Mustafa Salami, pas dëmtimit para pak ditësh me bardheblutë e Tiranës.

devolli 1

Tekniku është i vetëdijshëm për forcën e skuadrës, e cila ka krijuar një identitet të sajin. “Para kësaj ndeshjeje vijmë mirë, sepse më në fund i kemi të gjithë futbollistët të gatshëm. Na janë kthyer edhe ata që kanë qenë të dëmtuar. Kuptohet, përveç Dukës, që është i pezulluar. Nga ana tjetër, më në fund mund të them se kemi krijuar një identitet si ekip dhe jemi të vetëdijshëm për forcën tonë”, u shpreh fillimisht për gazetën trajneri i bluve, Bledar Devolli.

PËRQENDRIMI – Edhe pse në mesjavë kanë ndeshjen e kthimit për gjysmëfinale të kupës me Tiranën, në Kukës duket se e kanë mendjen vetëm tek Skënderbeu. Devolli thekson se janë të përqendruar për të fituar ditën e sotme.

“Jo, jo. Nuk do të mendojmë nesër (sot) për Kupën, por do të mendojmë të fitojmë ndeshjen me Skënderbeun. E dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne duam të fitojmë. Të respektojmë klubin dhe punën që po bëjmë çdo ditë në stërvitje”, vijoi më tej numri një i pankinës verilindore.

MOTIVIMI – Në situatën ku është Kukësi ndoshta është e vështirë të motivosh lojtarët. Por, nuk është i këtij mendimi Devolli, i cili kërkon të bëjë bashkë me djemtë historinë e tij në klubin e Kukësit. Sipas tij, është fundi ai që mbahet gjithnjë mend, ndaj edhe motivimi nuk do i mungojë asnjëherë.

“Jo, nuk është fare e vështirë të motivosh këta djem. E para, këta djem luajnë për klubin ku paguhen dhe e dyta, janë të rinj që duan të rriten nga ana profesionale. Pastaj kemi edhe një objektiv të madh në lojë për klubin dhe për veten tonë. Duam të bëjmë edhe ne historinë me ekipin e Kukësit. Duam të fitojmë dhe luajmë mirë në çdo ndeshje, sepse fundi mbahet mend. Këtë ua them edhe djemve çdo ditë në stërvitje apo ndeshje”, mbylli prononcimin e tij për gazetën tekniku i Kukësit, Bledar Devolli.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"