Ndeshja sot kundër Kukësit, Erzeni synon “revanshin” për… tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2022 | 11:14

Ndeshja sot kundër Kukësit, Erzeni synon “revanshin” për… tifozët

Luhet sot ndeshja e fundit e javës së 8-të të “Abissnet Superiore” ajo midis KF Erzenit dhe FK Kukësit në stadiumin “Niko Dovana” të qytetit të Durrësit, ora 15:00.

ERZENI

Kjo ndeshje ishte përcaktuar fillimisht të luhej të shtunën, por pas një kërkese të pazakontë nga klubi i Kukësit, që ndeshja të shtyhej të hënën me arsyen që disa lojtarë ishin prekur nga viroza.

Ndërkaq, për Erzenin do të jetë ndeshja e tretë radhazi që nuk zhvillohet në fundjavë, gjë që ka penalizuar disi tifozët e zjarrtë shijakas për ta ndjekur në numër të madh ekipin e tyre të zemrës.

Është hera e parë që këto ekipe përballen në superiore. Më herët janë përballur në Kupë dhe kategoritë më të ulëta ku janë prodhuar këto statistika:

Në 8 ndeshje Kukësi ka arritur të marrë 5 fitore, Erzeni 2 fitore dhe 1 ndeshje është mbyllur në barazim me golavarazh 11-16 në favor të Kukësit. Dje klubi ka bërë një thirrje për tifozët në faqen zyrtare në rrjetet sociale.

“Ftojmë të gjithë tifozët dhe dashamirësit të na mbështesin masivisht. Çmimi i biletave do të jetë 500 lekë në tribunën qendrore, 300 lekë në tribunën anësore dhe 200 lekë në tribunën ballore.

Gjithashtu bëjmë me dije se do të ketë një autobus falas për tifozët që duan të suportojnë në stadium ekipin tonë, teksa nisja bëhet në orën 13:30 nga Shijaku”.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"