Ndeshja ndaj Luzit në Kupë, Teuta llogarit kualifikimin dhe mendon për Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2022 | 11:09

Ndeshja ndaj Luzit në Kupë, Teuta llogarit kualifikimin dhe mendon për Vllazninë

Teuta, ditën e sotme ka zhvilluar seancën e fundit përpara ndeshjes së kësaj fillim jave, të hënën, ndaj Luzi 2008, për raundin e parë të Kupës. Bregdetarët kanë pasur shumë oshilacione këtë kampionat. Ndërsa në tri ndeshjet e fundit nuk kanë marrë pikët maksimale, duke marrë dy pikë në tri takimet e fundit.

TEUTA

Ky fakt ka bërë që stafi teknik me në krye Bledi Shkëmbin të vendosin të punojnë të qetë me motivacionin se:

“Ndeshja e radhës ndaj Vllaznisë duhet të përgatitet në qetësi dhe larg presionit, për të shmangur ndonjë hap fals”.

“Djemtë e detit” mbyllën përgatitjet në terren për ndeshjen e radhës me Luzin, e cila do të zhvillohet të hënën në stadiumin “Tofik Jashri”. Shkëmbi e nisi seancën stërvitore me një analizë që në fokus kishte dy ndeshjet e radhës.

Ndër të tjera, Shkëmbi kërkoi nga skuadra të qëndrojë me “këmbë në tokë” dhe të vijojë me rezultatet pozitive, pasi pavarësisht kundërshtarit, një hap fals do të ishte shqetësues për bregdetarët, edhe pasi përballë kanë një kundërshtar shumë dinjitoz, i cili po kalon një moment mjaft të mirë në kampionat, por që në këto takime ka treguar që mund të bëj keq.

PËRGATITJET – “Djemtë e detit” kanë zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore në kuadër të duelit ndaj “luzitanëve”, ku lajmi më i mirë vijon të jetë ana shëndetësore e ekipit. Përveç Jazxhit dhe Çejkut, që do të mungojnë në këtë përballje për arsye dëmtimi, i gjithë grupi i lojtarëve ka qenë i plotë në dispozicion të trajnerit Shkëmbi.

Formacioni titullar do të kristalizohet ditën e sfidës, dilemat janë të shumta dhe tekniku pritet të zgjedhë 11-she në duelin përballë Luzit vetëm në momentet e fundit. Përqendrimi i futbollistëve është maksimal dhe skuadra vijon të përgatitet me intensitet të lartë.

Shkëmbi e ka parë të nevojshme të motivojë ekipin, pavarësisht se në një takim të tillë si ndaj Vllaznisë nuk mund të mos interpretohet me maksimumin e forcës.

Për trajnerin është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje që do të thotë shumë për vijimësinë e sezonit dhe për objektivat. Për këtë arsye, tekniku i bluve fillimisht zhvilloi një bisedë me të gjithë grupin, duke mbajtur një fjalim të shkurtër dhe duke ndarë detyrat e përgjegjësitë për gjithsecilin.

Shkëmbi e ndau fillimisht skuadrën në tri grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes lojtarëve.

Më pas vijoi me ushtrimet e përgjithshme në funksion të sfidës së të hënës. Atmosfera në ekip në prag të dy ndeshjeve është shumë e mirë dhe te të gjithë ekziston dëshira e madhe që ecuria e mirë të vijojë me rezultate pozitive. Në këtë moment flitet për ndeshjen e radhës, që është Luzi dhe Vllaznia.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"