Ndeshja ndaj Dinamos/ Burreli me mungesa, por synohet surpriza
Burreli është “deficit” që në start. Ka një ndeshje më pak se kundërshtarët (atë kundër Lushnjës, që ende nuk dihet kur do të luhet), ka vetëm një pikë (pas barazimit 1 me 1 dhe shumë të kontestuar me Tërbunin) dhe udhëton në kryeqytet me mungesa.
Le të ndalemi te kjo e fundit, ku zyrtarisht Renato Hoti i bën llogaritë pa dy titullarë. Vagner Sepulvida Kavalkanti Duarte Filho dhe Xhoel Aijetoja Osikel u skuqën në “Liri Ballabani” përballë pukjanëve, do ta ndjekin 90-minutëshin e radhës si spektatorë. Përtej gjithçkaje, matjanët janë gati për të sfiduar Dinamon.
E dinë që nuk do ta kenë të lehtë në këtë transfertë, por të dorëzuar nuk janë aspak. Idenë e kanë të qartë, do të tentojnë surprizën. Dhe këtë do ta realizojnë, duke u mbyllur mirë në mbrojtje dhe shfrytëzojnë aq sa të munden kundërsulmin.
Një pikë do t’u bënte vërtetë punë, ndaj me këtë mision do të zbresin në “Selman Stërmasi” ditën e diel. Gjatë gjithë javës stafit teknik ka punuar taktikisht dhe teknikisht për të krijuar 11-shen “tip”.
Disa dilema të vogla i kanë ende, duke filluar që nga moduli. Nëse të shtunën e fundit aplikuan skemën 3-5-2, këtë herë me shumë mundësi do t’i kthehen asaj klasike: 4-4-2.
E megjithatë, gjithçka do të marrë zgjidhje vetëm sot, kur skuadra do të mbyllë përgatitjet.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"