Ndarja me Europën në 1973, misteri i vetëndëshkimit të futbollit shqiptar. Sejdini: Përjashtim absurd, e kuptuam kur Vllaznia fitoi titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2024 | 19:18

Ndarja me Europën në 1973, misteri i vetëndëshkimit të futbollit shqiptar. Sejdini: Përjashtim absurd, e kuptuam kur Vllaznia fitoi titullin

NGA UVIL ZAJMI
Në vitin 1973, një tjetër ngjarje do të përsëritej pas asaj që ndodhi me boksin në 1963-in, kur ky sport popullor u ndal në Shqipëri. Këtë herë, papritmas, futbolli shqiptar do të vetizolohet nga pjesëmarrjet dhe ndeshjet ndërkombëtare me ekipin përfaqësues.

Ekipi kombëtar në përgatitjet para takimit me RD Gjermane, nga e majta në këmbë: Dinella, Mullaliu, Allaj, Tartari (mjeku), Hushi, Gurma, I.Shuke (trajner), Sejdini, A.Kastrati (masazhator), Xhambazi, Braho, Muhedini. Ulur nga e majta: Përnaska, Zhega, Ibërshimi, Fagu, Zëri, Curri.

Ekipi kombëtar në përgatitjet para takimit me RD Gjermane, nga e majta në këmbë: Dinella, Mullaliu, Allaj, Tartari (mjeku), Hushi, Gurma, I.Shuke (trajner), Sejdini, A.Kastrati (masazhator), Xhambazi, Braho, Muhedini. Ulur nga e majta: Përnaska, Zhega, Ibërshimi, Fagu, Zëri, Curri.

Që pas takimit të fundit të nëntorit në “Qemal Stafa” me Gjermaninë, nuk pati asnjë përballje zyrtare kontinentale. Po kështu edhe në rang klubesh. Përjashtim bënte vetëm Kupa Ballkanike dhe miqësoret masive me Kinën. Për t’u rikthyer në Europë, fillimisht me Vllazninë në Kupën e Kampioneve më 1978-ën kundër Austrisë së Vjenës, që përfundoi me fitoren 2-0 të shkodranëve në “Vojo Kushi”, me gola të shënuar nga Ballgjni dhe Zhega. Ndërsa përballjet për përfaqësuesen do të riktheheshin në shtator 1980 me Shqipëri-Finlandë 2-0, ku shënuan Millan Baçi dhe Sefedin Braho.

Nga ai fundvit i largët 1973 ka kaluar një gjysmë shekulli. Por çfarë ishte ai vetëndëshkim absurd, anakronik, shkatërrues dhe kaq i gjatë, ndonëse jo i pari?! Cilat ishin motivet, vendimmarrësit, kush e nxiti dhe cili e dha atë urdhër tipik qeveritar? Pse ajo heshtje, errësirë totale informative? Ku janë dhe pse nuk gjendet një dokument! Nuk ka asnjë shkresë zyrtare që përcjell atë vendim, nga më negativët në historinë e futbollit kombëtar dhe me pasoja të rënda. Mos vallë ishin humbjet e thella me Rumaninë dhe Gjermaninë në Tiranë, një ndër shkaqet që ulën, fyen prestigjin dhe moralin e një shteti komunist, shoqëruar me atë vetë pezullim të paparë. Një enigmë, pa përgjegjës dhe emra konkretë edhe sot. “Një lajthitje totale”, shprehen disa nga futbollistët e kohës.

PAK NGA HISTORIA E VETËPEZULLIMEVE TË FUTBOLLIT SHQIPTAR
Nuk është hera e parë që futbolli shqiptar ka vetëshkëputje të tilla të papritura, të pajustifikueshme, pa asnjë motiv nga veprimtaritë zyrtare ndërkombëtare. Një autopezullim i gjatë (1973-1980) do të regjistrojë një fenomen aspak sportiv të pakuptimtë dhe goditës. Me Kombëtaren do të fillojë në vitin 1967. Në grupin e për “Euro 68”, pas humbjeve 6-0 në Gjermani, 2-0 në Tiranë dhe 4-0 në Beograd me Jugosllavinë, drejtuesit e FSHF-së nuk paraqitën kandidaturën për pjesëmarrje në “Meksikë 70”.

Sigurisht duke parashikuar edhe një humbje me Gjermaninë, në ndeshjen e 17 dhjetorit 1967. Por, pas barazimit 0-0, sensacionit të madh, drejtuesve të FSHF-së i rikthehet ideja dhe i kërkojnë FIFA-s pjesëmarrje në grupet eliminatore, por ajo i kishte mbyllur listat. Për pasojë, pati tre vjet pauzë, pa asnjë ndeshje. Për t’u rikthyer më 1970- ën në eliminatoret e “Belgjikë 72”. Jemi në grup me Poloninë, Turqinë dhe Republikën Federale Gjermane.

Ndarja e dytë me Europën dhe botën futbollistike do të regjistrohet pas eliminatoreve të Gjermani ’74. Në grup me Finlandën, RD Gjermane dhe Rumaninë. Humbje në Helsinki 1-0, fitore në Tiranë 1-0 (Rragami me penallti), më pas katër disfata: Me Rumaninë 0-2 në Bukuresht dhe 1-4 në Tiranë, RDGj-në 0-2 ne transfertë dhe 1-4 në Tiranë. Të gjitha në vitin 1973, pas të cilit vetizolimi europian do të jetë i dyfishtë: Kombëtareklube, shoqëruar me një heshtje, jo pjesëmarrje deri në shtator të 1980-ës, që është edhe rikthimi zyrtar ndërkombëtar në futboll me përfaqësuesen.

VITI 1973, HUMBJET ME RUMANINË DHE GJERMANINË
Duke iu rikthyer vitit 1973, kanë qenë dy përballje pas të cilave u krijua një atmosferë e rëndë që nuk u përtyp. U pranua, u përcoll nga qeveritarë, drejtuesit e futbollit shqiptar: 1-4 me Rumaninë në maj dhe 1-4 me Gjermaninë në tetor. Të dy takimet, të luajtura në “Qemal Stafa”, mund të kenë qenë fatale në atë vetëpezullim.

Ndonëse ndërmjet këtyre dy përballjeve, në shtator 1973, luhet Shqipëri-Finlandë 1-0. Autor i golit është Rragami nga pika e bardhë e penalltisë. Jemi të fundit në grup me 5 humbje, 1 fitore dhe golavarazh 2-13. Ndërkohë edhe situata politike është e rënduar, veçanërisht pas fjalimit të Enver Hoxhës në Plenumin e IV të KQPPSH. Pikërisht në qershor të atij viti, lidhur me shfaqjet e huaja me pasojë ndëshkime në art, etj.

Në basketboll, Partizani i Fagut, Zaçes, Greves, në atë fundviti arrin kualifikimin e parë. duke mundur hungarezët e Çepeli, ndërkohë që e përsëriti suksesin edhe pas një viti. Po kështu, edhe në volejboll në Kupën e Kampioneve, Partizani i Andon Konës, Dash Fagut, Borovës, Tomorit, arrin një kualifikim madhor, pas triumfit me TSTS të Turqisë dhe Ruinit të Italisë. Për të refuzuar “Final Four”, pasi aty është edhe një skuadër ruse.

Tiranë, e diel, 6 maj 1973
SHQIPËRI-RUMANI 1-4 (0-3)
GOLAT: S.Bizi 86’ / I.Dumitru 13’, R.Troi 24’, T.Taralunga 32’, F.Dumitrache 52’ (11-m)
SHQIPËRIA: Rama (Muhedini 30’), M.Gjika, Berisha, Sejdini, R.Ibërshimi, G.Xhafa, Rragami, Përnaska (U.Xhafa 10’), Bizi, Pano, Braho.
Trajner: Myslim Alla
RUMANIA: Radukanu, Satmareanu, Antonesku, Deleanu, Dimitru, Dinu, Troi, Nunvailer, Dumitrake, Jordanesku, Marcu (Tarelung 28’).
Trajner: V.Stanesc
GJYQTARË: Raus, Mediç, Spasiç (Jugosllavi);
SHIKUES: 18.500

SHQIPËRI-RUMANI 1-4, TIRANË MAJ 1973 Nga e djathta: Braho, Bizi, G.Xhafa, Gjika, Rragami, Përnaska, Sejdini, R.Ibërshimi, Berisha, Rama, Pano

SHQIPËRI-RUMANI 1-4, TIRANË MAJ 1973 Nga e djathta: Braho, Bizi, G.Xhafa, Gjika, Rragami, Përnaska, Sejdini, R.Ibërshimi, Berisha, Rama, Pano

Tiranë, e shtunë, 3 nëntor 1973
SHQIPËRI-RD GJERMANE 1-4 (1-2)
GOLAT: M.Gjika 15’ / Straich 5’, Straich 35, Lyve 63’, Shparvarser 78’
SHQIPËRIA: Muhedini (Ismaili 46’), M.Gjika, Berisha, M.Vaso, R.Ibërshimi, F.Sejdini, Rragami, Braho, Përnaska, Pano, S.Çurri (I.Hoxha 61’).
Trajner: Ilia Shuke
RD GJERMANE: Kroj, Bransh, Vajze (Kapf 68’), Kurbjuvajt, Lauk, Fritshe, Frencel (Shtajn 80’), Shparvarser, Straich, Duke, Lyve.
Trajner: E.Hansen
GJYQTARË: Bonet, Borg, Balzan (Maltë);
SHIKUES: 18.000

SI ISHTE VITI 1974 DHE ÇFARË SHKRUHEJ NË GAZETËN “SPORTI”
Ndërsa në mjaft disiplina sportive, aktivitet zyrtare, konkurrime në Europë janë aktive, ndryshe ato në futboll me klube e përfaqësuese. Le t’i hedhim një vështrim çfarë shkruhet në gazetën “Sporti”, kur viti 1974 do të nisë me fjalën përshëndetëse të Veiz Lelos, Kryetar e K.Sh të Kulturës Fizike dhe Sporteve, që i referohet Plenumit të 4 të KQ, të qershorit ’73 për t’i thënë ndal shfaqjeve të ideologjive borgjezo- revizioniste me porosinë e partisë për të nisur kthesën e dalë nga kjo gjendje. Duke vlerësuar që në vitin 1973 të dalluar janë sektori i lëvizjes turistike, sistemi i edukimit fizik, noti, lojërat popullore, Spartakiada e Klasës Punëtore, kërkohet mobilizim për vitin 1974 si viti i 30-Vjetorit të Çlirimit. Për të vijuar me një cikël shkrimesh “Probleme të përtëritjes së futbollit”, me autorë specialistë të fushës.

Në këtë periudhë spikat letërkëmbimi i vajzave volejbolliste të Dinamos me Enver Hoxhën, përgatitjet për Spartakiadën e 4-t Kombëtare, si dhe një material në prag të KK të Futbollit 1974-75, shtator, me titull: “Ndeshjet e KK të Futbollit t’i shërbejnë fillimit të kthesës në futbollin tonë”. Në mbyllje të vitit sërish Veiz Lelo, me të zakonshmet: “Suksese të mëdha, detyra të reja”.

Nga veprimtaritë sportive ndërkombëtare në atë sezon, veçohet kualifikimi i Partizanit në volejboll me djem ndaj Ruinit të Italisë, duke siguruar “Final Four”, por që nuk luan sepse në atë grup është edhe një ekip sovjetik. Një vit plot me turne miqësore me kinezët, nga garat në çiklizëm, basketboll, volejboll, Shqipëri e Kinë me klube e përfaqësuese. Ngritësit e peshave udhëtojnë për në Europianin e Veronas, ndërsa mundësitë janë në Rumani etj. Në futboll, në muajin shkurt një miqësore, e para ndërkombëtare, 17 Nëntori- AS Tërgu Muresh (skuadër e vendit të 8-të Rumani), 1-0 (Dibra). Më pas Vllaznia-AS Tërgu, 1-1 (Zhega); Partizani -AS Tërgu, 1-0 (Dalipi), ndeshje e luajtur në Berat.

Kupa e Republikës ka fituese Dinamon, që në finale mund 1-0 (G.Xhafa) Partizanin; dhe kampionatin kombëtar, faza e dytë, titulli merret nga Vllaznia. Për Kupën Ballkanike, Partizani-Vardar i Shkupit 2-1 (Murati, Thaka) e luajtur në maj, një miqësore Shpresa e Shqipërisë me trajner Zyber Konçin mund 1-0 (P.Gjonaj) Shpresat e Algjerisë. Në vijim, në Vlorë, Flamurtari-Shpresa e Algjerisë 0-1 dhe në Kupën Ballkanike, Partizani-Larisa 2-2 (Murati, Dalipi).

Nuk merret pjesë me Vllazninë e Dinamon në shortin për Kupat e Europës, ndërsa Shpresa udhëton në Rumani për kampionatin Ballkanik. Për të vijuar me disa miqësore me ekipin ushtarak kinez “1 Gushti” dhe të Dinamos, Luftëtarit, Labinotit me kombëtaren “B” të Kinës. Paralelisht me to edhe faza e parë e Kampionatit Kombëtar të futbollit 1974-1975. Sikurse shihet asnjë koment, informacion zyrtar për vetëpezullimin, mos pjesëmarrje me ekipin kombëtar dhe klube në Europë.

Faruk Sejdini: Përjashtim absurd, e kuptuam kur Vllaznia fitoi titullin

Nga 1970-ta titullar. I ka luajtur të gjitha ato përballje. “Askush nuk e priste, nuk e mendonte një ndëshkim nga i yti. Këtë mund të them sot”, shprehet me humor ish-mbrojtësi i Dinamos dhe Kombëtares, Faruk Sejdini në intervistën për “Panorama Sport” pesë dekada më pas.

Faruk Sejdini duke folur për “Panorama Sport”

Faruk Sejdini duke folur për “Panorama Sport”

Zoti Sejdini, çfarë mund të rikujtojmë nga ato përballje?
Ishim në grup me RD Gjermaninë, Rumaninë, Finlandën. E nisëm me humbje 1-0 në Helsinki. Pastaj 0- 2 në Bukuresht. Kujtoj se debutoi Sefedin Braho, i cili në atë kohë ishte pjesë e Partizanit. Në Tiranë luajtëm ndaj rumunëve, që janë në elitën europiane me lojtarë cilësorë si Dumitrake, Jordanesku, pritej një rezultat pozitiv. Pas humbjes 1-4 pati kritika, si mungesa e përgatitjes fizike, lojë taktike pa ritëm, jo kolektive, mbulim i dobët i kundërshtarit, pasime të gabuara, mungesa e presingut. Do të largohet trajneri Alla dhe në vendin e tij vjen zëvendësi Ilia Shuke. Nëse nuk gaboj, ajo është ndeshja e fundit për Sabah Bizin dhe Gani Xhafën me përfaqësuesen.

Në Shqipëri ndodhej një rumun, në ndihmë të futbollit. E mbani mend?
Ishte një trajner, specialist i njohur, Bolonesku, që kishte ardhur në Shqipëri në kuadrin e ndihmave për të sjellë eksperiencë në këtë sektor. Qëndroi për rreth dy vite. I ambientuar shpejt me ne, karakteristikat e futbollit tonë. Tejet profesionit, në teori dhe praktikë. Duke organizuar seminare e dhënë përvojën e tij, madje drejtoi edhe Partizanin. Në vitin 1973 ishte aktiv si asistent pranë ekipit kombëtar, atij Shpresa si ndihmës dhe këshilltar. Prania e tij ishte edhe në ndeshjen me RDGj-në. Një detaj me shumë për një rezultat pozitiv për ne, që favorizonte ekipin rumun.

Shqipëria ishte nën presionin e një situate të tensionuar politike…
Në fillim të 1973-shit, papritmas gjendja në vend u ashpërsua, u rëndua. Kishte nisur një fushatë agresive ndaj shfaqjeve të huaja, veçanërisht pas fjalimit të qershorit të Enver Hoxhës në Plenumin e IV të KQPPSH, që godiste këtë fenomen. Por pa i penguar, ndaluar, përballjet me ekipet e huaja që u zhvilluan normalisht.

Luajtët me rumunët e UTA Aradit në atë kohë…
Ajo ishte një skuadër modeste. Zhvilluan një turne miqësor, më shumë erdhi për të krijuar një atmosferë sa më pozitive me ne. Ishte një strategji e Federatës Rumune të Futbollit, që ne të mos e toleronim. Nëse ajo mbyllej në barazim ose gjermanët pësonin humbje, në fazën finale të botërorit shkonte Rumania. Në banket kujtoj na bënë peshqesh, një radio dore “Philips”, por pasi na i dhanë, u dha urdhri që t’i kthenim, çka na revoltoi ne futbollistëve. Unë dhe Bizi përdorëm një truk dhe nuk e dorëzuam.

Nga Finlanda te RD Gjermane, në pak muaj nga parajsa në ferr apo jo?
Me Finlandën, muaji shtator në Tiranë fitojmë 1-0 me gol të Rragamit me penallti. Pastaj ndeshja e fundit me RD Gjermane. Një skuadër shumë e fortë, që në botërorin e zhvilluar pas një viti mundi edhe RF Gjermane. Të humbje me ta nuk ishte dramë, nuk mund ta konsideroje disfatë të madhe. Fitorja e tyre ishte e merituar, por sikur pati një hatërmbetje te rumunët, që u reflektua edhe nga drejtuesit e sportit, qeveritarët tanë. E mbyllëm të fundit në grup.

Të ishte kjo renditje, me pasoja deri në atë vetëndëshkim?
Jo nuk besoj. Në raport me futbollin europian, me skuadrat që u ndeshëm ai ishte niveli ynë. Nuk ishte hera e parë që renditeshim të fundit, pra nuk mund të ishte ky motivi i marrjes të atij vendimi vetëndëshkues. Madje, menjëherë pas RD Gjermane u zhvillua një miqësore me kombëtaren B të Kinës. Barazuam 1-1, një takim nën frymën e miqësisë së pathyeshme.

Kur u kuptua, se në futboll ishim ndarë me Europën?
Me Vllazninë kampione, që nuk morri pjesë në short. Po kështu dhe në Kupën e Kupave që ishte një sinjal. Flitej me zë, për një vetëpërjashtim, por askush nuk e merrte përgjegjësinë, të tregonte apo deklaronte. Gjithçka në heshtje. “E di Partia” dhe kaq. Mospjesëmarrja në shortin për Europianin 1976, ishte ajo që na dha të kuptonim përfundimisht se nuk do të luanim edhe me kombëtaren në Europë.

Flitet se mund të ketë qenë edhe një vendim i Byrosë Politike?
Në mënyrë absolute jo. Kush mund ta merrte? Në Byronë Politike të gjithë ishin tifozë, nga Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Petrit Dume, etj. Kurrsesi, sepse ata e donin futbollin. Si mund ta pranonte Kadri Hazbiu që Dinamo në kulmin e saj të mos luante në Europë? Apo që lojtarët e Partizanit, Dinamos të qëndronin pa asnjë aktivitet me kombëtaren, klubet? Pra, kjo bie poshtë sepse i kemi përjetuar ato raporte, marrëdhënie dhe e dinim mirë sa tifozë ishin dhe çfarë kanë bërë ata për futbollin, futbollistët. Por kur është bërë fakti kryer kanë heshtur. Nuk kanë reaguar. Pastaj më 1974 ishte krijuar një situatë rëndë. Prishje, mbyllje me botën, dënime, zbulime të grupeve armiqësore, askujt nuk i binte ndërmend për futbollin. Mjafton që dikush të ketë thënë se ç’është kjo humbje, na turpëruan, na ulën prestigjin, të mos marrim pjesë, të përgatitemi për të luajtur me dinjitet.

Mundet individë të lartë të shtetit të kenë ndikuar, apo dhënë orientime për një vendim të tillë?
Nuk besoj Ramiz Alia. Ai mbulonte kulturën, artin, pak ishte i interesuar për futbollin. Ndoshta ka qenë një vendim i Sekretariatit të Komitetit Qendror, aty mundet të jetë diskutuar, për t’ia përcjellë, informuar më pas qeverinë, Byrosë Politike.

Gjykoni se mund të ketë lidhje me fjalimin e Hoxhës në Plenum?
U fol diçka e tillë për atë Plenum Partie në qershorin e ‘73-shit, për tërheqje nga veprimtaritë ndërkombëtare. Por edhe kjo nuk qëndron, se takimet tona u luajtën në fund të atij viti dhe askush nuk mund të parashikonte çfarë do të ndodhte në ato takime. Pastaj vetëm me futbollin u aplikua, sepse sportet e tjera vijuan në veprimtaritë ndërkombëtare në atë fundvit.

Ka kaluar gjysmë shekulli nga ai vetëpezullim unikal për historinë e sportit tonë. Si e mendoni tani?
E kam mbyllur karrierën vetëm me 5-6 ndeshje me kombëtaren dhe një apo dy me Dinamon. Më 1975, kam qenë titullar me 17 Nëntorin ndaj Radniçkit në Kupën Ballkanike. Ishim katër lojtarë që u morëm si përforcim nga Dinamo. Ilir Përnaska ka shënuar 4 gola në atë takim. Një kufizim absurd. Nuk kishte ndeshje të tjera. Pas shtatë vitesh të gjata pauze, ishte Mehdi Bushati që e riktheu futbollin në kompeticionet europiane, kur ai erdhi në krye të “Sportit” në vitin 1979.

INTERVISTOI: UVIL ZAJMI

Mihal Gjika: Kemi bërë autokritikë pas humbjes me gjermanët, më shumë u sulmua portieri Muhedini

Ndaj RD Gjermane ka shënuar golin e fundit me ekipin kombëtar. “Pas takimit në korridorin e stadiumit, Lym Alla mu afrua dhe me humor më tha: “Ç’pate o Lake që e ngacmove ariun”. Kam luajtur ndaj Shparvarcerit, futbollistit më të mirë gjerman. I shpejtë, i fortë, e vështirë ta mbuloje”, kujton Gjika për “Panorama Sport”.

Cila ishte atmosfera e pragsfidës me gjermano-lindorët?
Skuadra qëndronte e grumbulluar në Elbasan ku edhe stërviteshim. Kampionati ishte ndërprerë pasi të grumbulluar ishin edhe lojtarët e ekipit Shpresa, që drejtohej nga Zyber Konçi dhe Refik Resmja. Arritën një fitore të rëndësishme kur në Tiranë, mundën RD Gjermane me golin e Ismet Hoxhës.

Mihal Gjika duke folur për “Panorama Sport”

Mihal Gjika duke folur
për “Panorama Sport”

Formacione që ndryshonin nga një takim në tjetrin…
Gjashtë të tilla, me tre trajnerë në pesë humbje. Në portë luan Rama pastaj Dinella, rikthehet Muhedini. Ndërkohë, Loro Boriçi u nis për në Kinë dhe në ato dy vite kombëtaren e kanë drejtuar Lym Alla me Ilia Shuken. Alla iku pas humbjes me Rumaninë, fitores me Finladën 1-0 dhe me RDGj-në që e humbëm thellë 1-4. Në stol ka qenë Ilia Shuke bashkë me Sabri Peqinin. Takimi me RDGj-ë ishte i fundit jo vetëm për Panon, por për të gjithë ne. Vetëm Berisha, Përnaska dhe Braho qëndruan.

Pas RDGj-së, të gjithë ishin nën akuzë…?
Dy ditë pas humbjes me RDGj-në, në FSHF u zhvillua një analizë ku ishim edhe në lojtarët. Kujtoj kritikat, autokritikat, përgjegjësitë e humbjes. Duhej të diskutonim të gjithë, siç veprohej në atë kohë. Më shumë u kritikua portieri Muhedini për golat e pësuar.

Sa rrezikonte një mospjesëmarrje në veprimtaritë ndërkombëtare?
Flitej se në FSHF, në ato zyra të izoluara tërësisht nga informacioni, kishte zëra që kërcënonin, jepnin ide që futbolli shqiptar po kalon një situatë të rëndë me rezultate negative, dhe do të ishte mirë që për të ruajtur dinjitetin të mos marrim pjesë në Europë. Por kurrë të mendonim, parashikonin, kuptonim se futbolli do të vetëmerrte një ndëshkim të tillë.

Pse kaq i gjatë ai vetëndëshkim, si e keni menduar?
Një tjetër dilemë, një dënim i dytë, ka qenë nga ai vetëpezullim. Dakord, nuk do të luash në Europë, por caktohet një periudhë, një afat. Kurse në rastin në fjalë, asgjë. Dhe pasojat mbi futbollin, kombëtaren, klubet, ishin të skajshme nga ajo ndarje fatale me Europën. Dhe kjo, jo vetëm në rrafshin politik, por edhe të marrëdhënieve në mjaft fusha. Tashmë edhe në sport.

INTERVISTOI: UVIL ZAJMI

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"