“Na shpëton vetëm triumfi, e surprizojmë Tomorin”, Dovedan është gati të vuajë për… pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2023 | 12:50

“Na shpëton vetëm triumfi, e surprizojmë Tomorin”, Dovedan është gati të vuajë për… pikët

Apolonia udhëton me mision në Be rat. Kur gara po shkon drejt fundit, as barazimi nuk u bën punë. Këtë e thekson edhe vetë Veljko Dovedan, që sheh fitoren si të vetmin shpëtim. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri kërkon që të mos i lërë asgjë rastësisë. Pret një ekip sa më cinik përballë Tomorit, ndërsa mendon se me 12 pikë në tri ndeshjet e radhës do ta kapin zyrtarisht zonën “play off”.

dovedan

Apolonia shkon në Berat nesër (sot). Si është gjendja e skuadrës para kësaj transferte?

Personalisht mendoj se gjendja jonë është e mirë, ne kemi punuar të qetë dhe me shumë dëshirë. Gjithashtu analizat pas çdo ndeshjeje, qoftë humbje, barazim apo fitore, po na shërbejnë shumë që t’i kemi gjërat e qarta, madje edhe kur gabojmë. Mësojmë nga gabimet tona, sepse vetëm kështu rritemi, njëkohësisht përmirësohemi ndjeshëm, e më kryesorja që në fund marrim rezultatin tonë pozitiv.

I druheni Tomorit?

Di të them që çdo përballje ka rëndësinë e vet dhe nuk ndryshon asgjë nëse luajmë në shtëpi apo në transfertë. Tomori është një kundërshtar i vështirë, ne e kemi studiuar shumë mirë dhe presim ta surprizojmë. Nuk i druhemi aspak përballjeve të forta, aq më tepër finaleve të mbetura, që janë të gjitha mjaft të rëndësishme. Detyra jonë është të luftojmë me mish e shpirt dhe në fund të marrim maksimumin e pikëve. Jemi gati më shumë se kurrë.

A do të mjaftonte një pikë përballë beratasve?

Në këtë moment të vështirë, fitorja është shpëtimi i vetëm i Apolonisë. Ende nuk kemi siguruar asgjë prandaj do të luftojmë për gjithçka. Mundësitë i kemi, cilësitë nuk na mungojnë aspak, kështu që do të tentojmë surprizën e madhe në Berat. Vetëm kështu ngjitemi lart e më lart në tabelën e renditjes.

Ju krijoi stres ajo fitore me përmbysje në fund kundër Burrelit?

E vështirësuan jo pak punën, por treguam Apoloninë e vërtetë. Sa cinike, aq edhe agresive. Në këtë moment kanë rëndësi vetëm pikët e marra, pasi loja do të vijë duke u përmirësuar nëse punojmë dita-ditës. Kështu që më mirë pranoj një fitore të vuajtur se sa një humbje dinjitoze.

Zona “play off” është më e ngjeshur se kurrë. A do ta kapë objektivin tuaj Apolonia?

Mendja jonë është vetëm te ndeshja e radhës. Nuk mund të mendojmë për javën e fundit, nëse nuk marrim maksimumin e pikëve në tri përballjet e mëparshme. 12 pikë janë mjaftueshëm për të siguruar një vend të sigurt në zonën “play off”. Sigurisht që Apolonia i qëndron objektivit të saj sezonal, prandaj na mbetet thjesht e vetëm të luftojmë fort për të marrë atë që meritojmë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"