“Na duhet të rikuperojmë pikët për të qenë në vendin që na takon”, Mehmeti: Dinamo gati, fitojmë ndaj Erzenit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2023 | 10:26

“Na duhet të rikuperojmë pikët për të qenë në vendin që na takon”, Mehmeti: Dinamo gati, fitojmë ndaj Erzenit

Më shumë kohë në dispozicion për ndeshjen e radhës, më shumë mundësi për të përmirësuar komponentët e skuadrës. Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, pranon se kjo periudhë e ka ndihmuar atë dhe stafin për të konsoliduar skuadrën në lojë.

mehmeti

“Po, shtyrja e ndeshjes me Erzenin na ka ndihmuar, të them të drejtën. Gjatë kësaj periudhe kemi pasur mundësinë për të punuar edhe me dy seanca në ditë për të rikuperuar ato defekte që kemi shfaqur më parë. Jemi munduar të rikuperojmë si në aspektin fizik, ashtu edhe në konsolidimin e lojës së Dinamos. Sigurisht që kemi akoma shumë për të bërë, por kemi përmirësuar diçka në lidhje me automatizimin e veprimeve në lojë. Qëllimi ynë është që të marrim rezultate sa më të mira dhe të ngjitemi në tabelën e renditjes, por edhe të rritemi në lojë. Sepse rritja e nivelit të lojës do të na sjellë rezultatet që duam”, ka thënë fillimisht trajneri i kryeqytetasve. Përveç kësaj, koha i ka ndihmuar blutë edhe për të rikuperuar ndonjë lojtar, siç është rasti i Erisildo Smaçit, edhe pse mesfushori nuk është ende 100% gati.

ERZENI Për kundërshtarin e sotëm, trajneri Mehmeti ka theksuar se meriton respekt dhe vlerësim, por ai gjithashtu pret më të mirën nga të tijtë. Kreu i stolit pret që skuadra të jetë sa më konkrete në këtë 90-minutësh, duke gabuar sa më pak.

“Duhet të jemi sa më të përqendruar për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Erzeni ka një skuadër të mirë, një skuadër të fortë. Për këtë meriton gjithë respektin tonë, por ne, siç e kam thënë edhe herë të tjera, duhet të njohim veten tonë në radhë të parë dhe të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje. Na duhet të rikuperojmë pikët për të qenë në vendin që na takon në renditje. Do të bëjmë lojën tonë me Erzenin, me synimin për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Do të doja që skuadra të jetë sa më konkrete, sa më efikase në lojë. Për mendimin tim, nuk është një ndeshje kyçe, sepse kampionati ka edhe shumë javë të tjera në vazhdim. Ne jemi në gjendjen e duhur për të përballuar çdo ndeshje dhe tani mendojmë vetëm për Erzenin. Ky kampionat është i tillë, ku një fitore të ngre lart dhe një humbje të vë në vështirësi të mëdha. Skuadra është e ndërgjegjësuar për gjendjen ku ndodhemi dhe kam besim se do të bëjmë një ndeshje të mirë”, përfundoi trajneri Mehmeti.

FATJON RUPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"