“Na duhet grintë dhe durim”, Jazxhi: Iku koha e ankesave, Teuta merr maksimumin me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2024 | 12:30

“Na duhet grintë dhe durim”, Jazxhi: Iku koha e ankesave, Teuta merr maksimumin me Vllazninë

Teuta do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Vllaznisë.Jazxhi

Me optimizëm nga stërvitja e fundit, mbrojtësi Artan Jazxhi shprehet për “Panorama Sport” se ekipi i tij i ka të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin nga kjo përballje, e cila do të nisë sot në orën 18:00.

Si mund të themi se është atmosfera brenda grupit?

Është mirë kur përgatitemi me entuziazëm. Është një atmosferë shumë pozitive dhe jemi të gjithë së bashku. Kjo është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që ky bashkim i yni të na ndihmojë edhe në fushë. E kemi analizuar ndeshjen, nuk është koha për t’u ankuar për çfarë ndodhi në të kaluarën. Mendoj se mund të bëjmë diçka ndryshe, por mënyra e lojës është thuajse e njëjta. Duhet të kemi pak fat në finalizimin e rasteve dhe shpresoj që të krijojmë mundësitë për të shënuar. Duhet të bëjmë maksimumin në paraqitjen tonë që të fitojmë përballë Vllaznisë.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Kemi mbetur të kënaqur me seancën e fundit stërvitore. Pas Skënderbeut, tashmë është më e vështirë pasi duhet të ruajmë ritmin. Vllaznia është shumë kompakte në mbrojtje dhe lë pak hapësira. Ne duhet të ndërtojmë sa më shumë aksione, të tregojmë se jemi gati 100 për qind. Kjo do të jetë një detyrë e madhe.

 Mendoni se një pikë me Vllazninë do të ishte në rregull?

Mendoj që kjo është në varësi të ndeshjes me çka ti jep në fushën e lojës, sepse mund të zhvillosh një ndeshje shumë të mirë duke dominuar kundërshtarin dhe në fund merr një pikë, teksa realisht meriton më shumë. Por, nëse t’i nuk jep më të mirën dhe kundërshtari të dominon, atëherë ajo pikë të kënaq. Them se kjo do të duket në ndeshje, ne si Teutë do të japim më të mirën tonë që të marrim maksimumin nga përballja me shkodranët.

A po rritet besimi në ekip nga ndeshja në ndeshje?

Teuta edhe në ato ndeshje që nuk ka arritur të fitojë, ka treguar lojë cilësore, por që ka munguar efikasiteti. Gjithsesi, duhet të jemi me këmbë në tokë sepse kampionati është shumë i luftuar dhe duhet të futemi në çdo ndeshje me shumë seriozitet.

Çfarë ka Teuta më shumë sesa Vllaznia?

Kemi strategjinë tonë, duhet të kemi atë grintë, durim, mosdorëzim, sakrificë. Atë duhet të bëjmë si ekip. Nuk e di çfarë ka kundërshtari, pasi flas për ekipin tim.

Z.QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"