“Na dallon mbiemri, kur na thërrasin kthejmë kokën njëherësh”, tre Mikelët e Lushnjës rrëfejnë “lëmshin” me… emrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2022 | 14:03

“Na dallon mbiemri, kur na thërrasin kthejmë kokën njëherësh”, tre Mikelët e Lushnjës rrëfejnë “lëmshin” me… emrin

Duket rastësi, por Mikel është emri më i zakonshëm te Lushnja. Nuk janë pak, por tre lojtarë që quhen njësoj. Nëse deri para janarit ishte vetëm Spaho, tani janë shtuar edhe Kaloshi me Cankën.

MIKEL SPAHO MIKEL CANKA MIKEL KALOSHI

Dy të parët janë portierë dhe kanë garë edhe për vend titullari, ndërsa i treti luan në sulm dhe mban shiritin e kapitenit. Edhe pse i dallon mbiemri, jo pak herë bëhen “lëmsh” kur i thërrasin.

Kjo gjë nuk i shqetëson kurrsesi, madje shpesh bëjnë edhe humor me këtë fakt. Për ta prioritet është vetëm shpëtimi i këtij sezoni dhe eksperienca e madhe që kanë, u jep të drejtën që ta thonë me të madhe që do të mbijetojnë. Kur pyeten nga “Panorama Sport” se si është të mbash të njëjtin emër në një ekip, ja si përgjigjen ata:

TRE FUTBOLLISTË ME EMRIN MIKEL NË LUSHNJË, SI E THËRRISNI NJËRI-TJETRIN? PO SHOKËT APO TRAJNERI?

– Spaho

“Për të bërë dallimin është mbiemri. Në futboll ndodh rëndom që të thërritesh në mbiemër dhe kështu ka ndodhur edhe me mua. Edhe profesor Canaj, si tani dhe para 18 vjetësh, më thërret në mbiemër: “O Spaho vazhdo me çunat…”, kaq mjafton dhe e marr vesh që e ka me mua”.

-Canka

“Unë jam më komod, Spaho me Kaloshin e kanë hall. U drejtohen me ‘O portiera!’, ndërsa mua ‘kapiten’ ose ‘Kele’, nëse nuk përdoret mbiemri. Zakonisht profesori më thërret ‘Canka’”.

-Kaloshi

“Ne jemi të dy portierët me të njëjtin emër. Mbiemri bën dallimin kryesor. U dëmtua Canka dhe profesori më dha shiritin e kapitenit. Ishte edhe ky një dallim. Ishte një moment kur tha: ‘Mikeli këtej’. dhe natyrshëm pyetëm: ‘Kush, Spaho apo Kaloshi?’”

JU KA NDODHUR QË TË KTHENI KOKËN NJËHERËSH KUR JU THËRRASIN?

-Spaho

“Po, na ka ndodhur. Kur dëgjon emrin tënd, kthen kokën. Është normale. Kur kemi dëgjuar ‘Keli’, kemi kthyer të tre njëherësh kokën”.

-Canka

“Sigurisht që na ka ndodhur dhe kryesisht gjatë lojës. Pastaj është bërë dallimi. Keli kapiteni apo Keli portieri. Në fund është mbiemri që bën dallimin e qartë”.

-Kaloshi

“Na ka ndodhur dhe kemi pritur të kuptojmë se për cilin Mikel bëhej fjalë”.

DO TA SHPËTOJË LUSHNJA SEZONIN?

-Spaho

“Lushnja është në një pozitë shumë të vështirë dhe ndeshjen e radhës e ka po të vështirë. Shanset janë të mëdha dhe do t’i shfrytëzojmë. Nuk kemi qenë asnjëherë kaq pranë. Sezonin e kaluar kishim diferenca të thella me rënien dhe ndeshjen shtesë. Nuk kemi qenë asnjëherë kaq pranë, por besojmë se do të shpëtojmë”.

-Canka

“Është një garë shumë e fortë dhe duhej kujdes i madh nga ana jonë. Tani çdo rival bën llogaritë e veta. Ne jemi në vendin e 10-të dhe besoj se do ta shpëtojmë sezonin, sepse i kemi të gjitha mundësitë të ruajmë vendin që kemi”.

-Kaloshi

“Tani është faza finale. Na duhet pak qetësi dhe kujdes. Duke i marrë ndeshjet me radhë, me këtë kalendar që ka mbetur, besoj se Lushnja do ta shpëtojë këtë sezon”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"