Mustafa Ba “tradhton” Besën ndaj Bylisit, trajneri Pashja: Nuk e meritonim humbjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2024 | 13:00

Mustafa Ba “tradhton” Besën ndaj Bylisit, trajneri Pashja: Nuk e meritonim humbjen

Bylis nuk ndalet në misionin Superiore, teksa këtë herë ka “likuiduar” kavajasit në transfertën e kryeqytetit në shifrat 2-0. Besa ishte pritëse në “Arenën e Demave” dhe në pjesën e dytë luajti në inferioritet numerik ndaj ballshiotëve, pasi Mustafa Ba doli me të kuqe në minutat shtesë të pjesës së parë. Ndeshja u zhvillua me dy tablo.

Pashja

Bylisi ishte i papërmbajtshëm gjatë fraksionit të parë, ndërsa Besa u tregua guximtare në të dytën edhe pse luajti me një lojtarë më pak mbajti nën presion miqtë. Ndeshja nisi nën diktatin e ballshiotëve që tregohen agresivë për të gjetur golin sa më shpejt. Por portieri Ahmetaj u tregua shpëtimtari i Besës në disa raste. Në të 23-ën vjen goli për Bylisin. Aksion i bukur i Xheferson që shpërthen brenda zonës, godet, por Ahmetaj me gjoks largon për një moment dhe topi shkon në krahun tjetër te Kamara që nuk e ka të vështirë të shënojë, 0-1 për miqtë.

Në të 30-ën ka panik për kavajasit, Shurdhiqi gjatë një përplasje me kokë me Goxhaj mbetet i shtrirë. Goxhaj thërret kryesorin Shabanaj të sjell urgjent mjekët dhe fatmirësisht kalon pa probleme. Në minutën e dytë shtesë kemi një grindje mes dy lojtarëve. Mustafa Ba i Besës shtyn me duar Jurgen Goxhaj. Gjyqtari Mario Shabanaj ndëshkon me karton të kuq sulmuesin e Besës. Kavajasit e nisin pjesën e dytë me 10 lojtarë. Miqtë janë ata që sërish janë në sulm, por portieri Ahmetaj bën detyrën. Besa e rrit presion, edhe pse më një lojtar më pak.

Në minutën e 70-të kanë mundësinë “e artë” për të barazuar me Eminin, që shpërdoron i vetëm me portierin Beqaj. Në të 74-ën vjen goli i dytë për Bylisin me autor Felipe Souza, Kështu që me fitoren 2-0 Bylsi nuk e ndal marshimin drejt Kategorisë Superiore.

Pashja: S’e meritonim humbjen

Lorenc Pashja, trajner i Besës, pas ndeshjes tha:  “Pjesa e parë ishte jo e mirë ku edhe u ndëshkuam dy herë, me golin, por edhe me një lojtar mangët. Në pjesën e dytë kemi luajtur shumë mirë, rritëm intensitetin, rritëm dëshirën dhe duhej të kishim barazuar. Rastet nuk na munguan, por i tillë është futbolli dhe duhet të pranojmë verdiktin.

Pavarësisht kësaj humbje, që për mua nuk e merituam, Besa nuk mendoj se do të rrezikoj daljen nga kategoria, pasi kemi elementë shumë të mirë. Gjithsesi, presioni nuk arriti të ndryshonte rezultatin, e më pas nuk ia dolëm të përballonim 45-minutëshin e dytë me vetëm 10 lojtarë. Kështu skuadra e Bylisit doli e fituar. E përsëris, nuk e meritonim këtë humbje. Tani vëmendja jonë do të jetë në ndeshjen e radhës ku ne nuk duhet të gabojmë.

ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"