Murinjo bën një tjetër magji, Roma ia dedikon finalen… Kumbullës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2023 | 21:09

Murinjo bën një tjetër magji, Roma ia dedikon finalen… Kumbullës

Me zemër, me lodhje të mëdha, por mbi të gjitha duke menduar që të mbrohen deri në vdekje, aq sa në fund rezultati i goditjeve ishte 29 me 1 në favor të Leverkusenit. Gjithsesi, në fund, edhe pse me rrjeta të paprekura, festa ishte e gjitha për Romën dhe Zhoze Murinjon.

kumbulla

“Special One” konfirmon edhe njëherë tjetër arsyen e pseudonimit të tij, sepse me një skuadër plot limite, siç pranon edhe ai vetë, në të dytin sezon radhazi ngjit “Ujkonjën” një shkallë më lart në histori. Pas arritjes në finalen e Tiranës dhe fitoren e Ligës së Konferencës, këtë herë Murinjo do të tentojë Ligën e Europës, ku në finalen e Budapestit më 31 maj do të gjejë Seviljen, specialisten e turneut (4 herë fituese e Ligës së Europës dhe 2 herë e Kupës UEFA).

Gjithsesi, kjo Romë, e cila i dha fuqi maksimale golit të 20-vjeçarit Bove në gjysmëfinalen e vajtjes ka treguar se di të marrë maksimumin në Europë dhe duke u mbështetur fort te dy themelet kryesore: Rui Patricio në portë, i cili duket se në çdo ndeshje vendimtare ul qepenin e portës së tij, ndërsa Matiç duket një gladiator në mesin e fushës, edhe pse të 30-tat kanë kohë që kanë kaluar. Por akoma më shumë se kaq, janë idetë dhe madhështia e një trajneri si Zhoze Murinjo që bën sërish diferencën dhe e dini çfarë… Për portugezin do të jetë finalja e gjashtë ndërkombëtare, por me pesë të mëparshmet që i ka fituar gjithmonë. Kështu që në Budapest, Roma dhe romanistët kanë pse të kenë besim.

Për Kumbullën – Festa në Gjermani kishte një mungesë të rëndësishme, Marash Kumbulla, i cili sapo është operuar dhe nuk mundte të udhëtonte me ekipin në Leverkusen. Gjithsesi, prezencën e tij nuk mund ta anashkalonin shokët e skuadrës, të cilët në festën e bërë në dhomat e zhveshjes, nuk nguruan që të shpalosnin edhe bluzën e Marash Kumbullës, duke i dedikuar arritjen e kësaj finaleje tjetër të rëndësishme. “Faleminderit çuna, ishit vërtet fantastikë. Jemi një grup i mrekullueshëm. Tani të shkojmë të gjithë së bashku në Budapest. Forca Romë!”, ishte reagimi i Marashit në rrjetet sociale, pas dedikimit që iu bë.

JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"