Mungon Danaj dhe Jaku, flet trajneri i Besëlidhjes: Asnjë justifikim ndaj Tërbunit!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2022 | 12:45

Mungon Danaj dhe Jaku, flet trajneri i Besëlidhjes: Asnjë justifikim ndaj Tërbunit!

Besëlidhja u dha fund përgatitjeve për javën e katërt të kampionatit. Tërbunin e presin me dy mungesa, por Alban Bruka nuk ka justifikime. Mbrojtësi Kristian Jaku dhe sulmuesi Ruben Danaj nuk janë rikuperuar ende nga dëmtimet që kanë pësuar në ndeshjen e fundit. E megjithatë trajneri i ka gjetur tashmë zgjidhjen edhe formacionit. Ai pret vetëm maksimumin kundër pukjanëve dhe rrjedhimisht autokritikën, gjë që e ka theksuar enkas për “Panorama Sport”. Në shtëpi sidomos nuk pret më asnjë lloj gabimi.

BRUKA BESELIDHJA

“Sot (dje) u dhamë fund përgatitjeve për sfidën ndaj Tërbunit. Ndryshe nga ndeshjet e tjera, kemi dy mungesa kryesore. Mbrojtësi i majtë Kristian Jaku dhe sulmuesi Ruben Danaj nuk janë rikuperuar ende, mungesa që na detyrojnë të sforcohemi. Por falë një stoli cilësor që kemi në dispozicion shpresoj se do ta minimizojmë mungesën e tyre.

Ekipi është i qartë se vetëm fitorja do të jetë autokritika reale pas humbjeve që pësuam kohët e fundit. Fitorja ndaj Tërbunit bëhet e panegociueshme pasi përveç atyre që theksova më lart, ndeshja zhvillohet në stadiumin tonë para tifozërisë lezhjane që nuk duam ta zhgënjejmë. Ne kemi një objektiv në kampionat, për të cilin do të luftojmë deri në fund.

Ne e kemi të qartë se të gjitha ekipet synojnë gjysmën e parë të tabelës, ndaj edhe lufta sportive gjatë gjithë sezonit do të jetë shumë e fortë dhe e ashpër, ku shumë syresh pretendojnë kreun për rikthim në elitë.

Nuk duhet të gabojmë pasi përsëritja e gabimeve na nxjerr përfundimisht, jo vetëm nga korsia e pretendentit, por edhe nga ajo e mbijetesës. Duhet të jemi të kujdesshëm në menaxhimin e gabimeve, kontrollin e lojës dhe leximin e gabimeve të kundërshtarit”, përfundoi trajneri.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"