Mungesa të shumta kundër Erzenit, ja si paraqitet situata tek Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2024 | 11:21

Mungesa të shumta kundër Erzenit, ja si paraqitet situata tek Skënderbeu

Fitorja e fundit në kampionat ndaj Kukësit la me pasoja ekipin e Skënderbeut që duhet të bëjë ballë me mungesa të shumta në ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Erzenit.

skenderbeu

Veç Liços që është i pezulluar për shkak se ka plotësuar numrin e kartonëve të lejuar korçarët duhet të bëjnë llogaritë edhe me katër mungesa të tjera që bardhekuqtë numërojnë në ditën e dytë të përgatitjeve. Së bashku me kapitenin, Skënderbeu numëron edhe katër futbollistë të tjerë me probleme fizike dy prej të cilëve janë mungesa të sigurta në ndeshjen e radhës ndërsa dy të tjerët do të duhet të verifikohen se si do të jetë gjendja e tyre në ditët në vijim.

MUNGESAT E KONFIRMUARA- Në listën e lojtarëve që janë jashtë në ndeshjen e fundjavës ndaj Erzenit janë shtuar emrat e Randi Dumfur dhe Klevis Shaqes, të dy lojtarë që mbyllën me probleme ndeshjen ndaj Kukësit në Korçë. Randi është ende në spital pas komplikacioneve të hipotermisë në momentet e fundit të ndeshjes. Probleme që nuk kanë kaluar ende teksa ganezi po mbahet nën kontroll nga mjekët pasi dyshohet se mund të ketë edhe pneumoni si pasojë e të ftohtit të pësuar në ndeshjen e fundit. Lojtari do të qëndrojë i shtruar edhe disa ditë në spitalin rajonal të Korçës para se të bashkohet me ekipin kur gjendja të stabilizohet. Nga ana tjetër edhe Shaqe vuan problemin e kaviljes të dëmtuar gjatë pjesës së parë të takimit. Korçari ka kryer kontrollet dhe ka rezultuar se ka një dëmtim të shkallës së lehtë, por që do ta lerë jashtë për këtë ndeshje.

DYSHIMET- Nëse tre lojtarë janë mungesa të sigurta për ndeshjen ndaj Erzenit, Gvozdenoviç ka dyshimet e veta për dy lojtarë të tjerë që nuk kanë gjendjen maksimale dhe nuk janë gati për ta nisur si titullarë këtë takim. Behet fjalë për Ardit Nikajn dhe Rei Pecanin të cilët vijojnë të kenë probleme fizike të mbartura. Sulmuesi shkodran i Skënderbeut ka shqetësim nga aduktoret. Megjithëse, dëmtimi nuk është i rëndë, shqetësimet e muskujve të barkut e pengojnë lojtarin gjatë sprintit duke e kushtëzuar për të mos dhënë maksimumin. Të njëjtin problem ka shfaqur edhe Rei Pecani, i cili prej kohësh vijon të jetë jo në gjendjen e tij më të mirë. Me gjithë këto dilema dhe mungesa dhimbja e kokës për trajnerin Gvozdenoviç është shtuar ndjeshëm aq më tepër kur duhet të ribëjë nga e para formacionin për ndeshjen e fundjavës. Pritet që pas provave të vazhdueshme të këtyre ditëve, do të vendosen edhe 11 titullarët që do të e nisin me Erzenin.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"