Mungesa të rëndësishme te Tirana, Fagu ndryshon skemën/ Ja si pritet të rreshtohen bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2024 | 22:12

Mungesa të rëndësishme te Tirana, Fagu ndryshon skemën/ Ja si pritet të rreshtohen bardheblutë

Erbim Fagu dhe Tirana të hënën kanë provën e parë të tyre. Trajneri do të debutojë te bardheblutë me idetë dhe formacionin e tij.

FAGU

Sigurisht që skuadra do të përballet me Laçin, një skuadër që Tirana nuk ia ka dalë dot ta mundë këtë sezon. Sfida pritet të jetë e fortë, duke pasur parasysh se skuadra bardheblu dhe kurbinasit kërkojnë një vend në katërshe.

STËRVITJA – Erbin Fagu vazhdon përgatitjet me Tiranën. Trajneri i ri më shumë është fokusuar te sulmi dhe mënyra sesi ekipi do të shkojë te porta. Me shumë mundësi, Fagu do të ndërtojë një skuadër 3-5-2

MUNGESAT – Filip Najdovski ishte ai që u stërvit veçmas. Edhe në këtë ndeshje ai nuk do të jetë. Po kështu, 2 lojtarë do t’i mungojnë Tiranës në Laç. Bëhet fjalë për Deliun dhe Përgjonin. Dyshja u ndëshkua në derbi me të verdhë, duke plotësuar numrin katër të kartonëve.

FORMACIONI I MUNDSHEM

FORMACIONI – Duke parë morinë e mungesave, në portë do të aktivizohet Kozi, i cili tani është portieri i parë. Më pas Mici, Lulaj, Hoxhallari që do të luajnë të tre në mbrojtje. Në mesfushë ka rreshtim me Haxhiun, Metën, Jonuzin e Lushkjës. Sulmi është i përbërë nga Abazaj, Latifi dhe Patrik. Tirana nuk e ka mundur dot Laçin këtë sezon, pasi në sfidën e parë është mundur 3-0, ndërsa në takimin e dytë barazoi 2-2 në Laç me golin e Melos në minutat shtesë.

KTHESA – Presidenti Refik Halili në një mbledhje para Teutës, gjithashtu ka deklaruar para skuadrës se ka besim te grupi. Ai ka kërkuar nga të gjithë që nga sfida e radhës duhet të reagojnë. Presidenti ka kërkuar që skuadra të garantojë vendin në “Final 4” si dhe finalen e Kupës së Shqipërisë. Këto janë dy objektivat minimalë që grupi i ka detyrim për të ardhmen.

TIRANA

KARTONËT – Dy futbollistë rrezikojnë për çështje kartonësh, sfidën e Laçit. Ata janë Hoxhallari, dhe Haxhiu. Tirana, është e pesta me 34 pikë në renditje, ndërsa para saj Dinamo me 35 pikë. Tirana këtë sezon ka pasur “oshilacione” në rezultate.

PËRMBYSJET – Në këtë sezon, e veçanta është që bardheblutë etiketohen si ekipi i përmbysjeve. Kështu, nga 23 takime të luajtura, ekipi ka fituar nëntë ndeshje dhe ka barazuar shtatë të tjera. E veçanta është se nga nëntë takime, pesë prej tyre i ka fituar me përmbysje. Katër janë ndaj Dinamos dhe Kukësit me të njëjtin rezultat 3-2, ndërsa një ndeshje është mbyllur 3-1, pikërisht sfida me Skënderbeun në fazën e parë.

OLSI AVDIAJ  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"