“Mungesa e stadiumit na penalizoi”, Magani: S’patëm asnjë avantazh, luajtëm gjithë vitin jashtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2023 | 22:37

“Mungesa e stadiumit na penalizoi”, Magani: S’patëm asnjë avantazh, luajtëm gjithë vitin jashtë

Besa vërtetë shpëtoi në limite, por si përfundim ishte vetëm dy pikë larg fazës “play off”. Nëse do të kishin një fitore më shumë, do të ishin ata dhe jo Apolonia në ndeshjet shtesë. Kavajasit do ta “qajnë” gjatë atë humbje me Orikun në Peqin.

MAGANI

Dhe është pikërisht faktori fushë që i dëmtoi kavajasit, pasi nuk është pak të luash gjithë sezonin jashtë. Dhe këtë vit janë sistemuar sa në stadiumin “Shkumbini” aq edhe në atë të Tomorit. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, është Gugash Magani që radhit të gjitha pengesat, të cilat pati skuadra e tij në këtë kampionat.

“Nëse gjykojmë nga emri dhe historia, sigurisht që unë i pari e mora ekipin me objektiv të qartë: ngjitjen në Superiore. Kur nisa kampionatin, besoja dhe më ishte premtuar se do të nisnin punimet për stadiumin ‘Besa’. Kjo nuk ndodhi, madje nuk po ndodh as sot. Pra, u detyruam të udhëtojmë sa në një stadium në tjetrin. Çdo ekip normal në prag të ndeshjes përjeton emocionet që të jep fusha jote, tifozët tuaj e këtu psikologjikisht nis një sfidë.

Besa nuk e pati këtë avantazh dhe në shumë takime thuajse kemi luajtur pa praninë e tifozëve tanë. Askush nuk mund të mohojë se çfarë ndikimi të madh ka të luajturit në stadiumin tënd, ku mijëra tifozë brohorasin emrin e Besës. Ky ishte handikapi i parë dhe kryesor që ndikoi fuqishëm në objektivat tanë”, tha fillimisht peqinasi.

ECURIA – Duke parë përbërjen mjaft të re të grupit, tekniku nuk i kursen vlerësimet për angazhimin e futbollistëve. “Me përjashtim të 2-3 lojtarëve, pjesa dërrmuese e Besës ishin lojtarë të rinj, që nga portieri Abdullahu deri te sulmuesit e rinj, si Lila etj. Pra, një Besë ku rreth 70% e përbërjes luanin për herë të parë me një ekip të rriturish.

Pra, unë si trajner jam shumë i kënaqur nga angazhimi, sakrifica dhe përkushtimi i secilit prej tyre. Mos harroni se përballë patëm ekipe të mirëfinancuara e të kompletuara si Skënderbeu, Dinamo, Flamurtari, ndaj të cilëve ju e keni parë se kemi luajtur si të barabartë në çdo aspekt. Kemi gabuar me kundërshtarë më të dobët se ne. Na munguan vetëm 2 pikë që Besa të ishte në ‘play off’, ndaj thashë se jam i kënaqur. Shto këtu faktin se pjesa më e madhe e tyre duke qenë lojtarë të rinj, tashmë kanë në kurriz një përvojë 1-vjeçare më tepër”, theksoi Magani.

E ARDHMJA – Ndërkohë që lidhur me të ardhmen e Besës, trajneri i verdhezinjve shprehet se është herët për folur, pasi grupi po vijon seancat stërvitore dhe nga mesi i qershorit mund të flitet për merkato, afrime e të tjera. “Për momentin është herët që të them diçka se çfarë do të bëhet me ekipin. Sapo u mbyll një kampionat dhe kemi kohë për tjetrin.

Një gjë është e qartë, barra kryesore natyrisht i bie presidentit dhe këtu i referohemi historisë së merkatos në hyrje. Besoj se nga mesi i qershorit mund të flitet mbi Besën e sezonit 2023-2024”, përfundoi numri një i stolit të Besës.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"