“Mundim Lushnjën edhe me mungesa”, Rodriges llogarit trepikëshin e radhës për Apoloninë: Le ta kthejmë në festë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2023 | 11:30

“Mundim Lushnjën edhe me mungesa”, Rodriges llogarit trepikëshin e radhës për Apoloninë: Le ta kthejmë në festë

Apolonia është gati për “derbin”. Sot në orën 13:30 presin Lushnjën në “Loni Papuçiu” dhe llogaritë bëhen vetëm me fitoren. Fierakët janë “të dënuar” për të marrë tri pikët, për të evituar shkëputjen e Elbasanit të vendit të dytë dhe Bylisin kryesues. Edhe pse kanë tri mungesa të rëndësishme, në Fier nuk shqetësohen. Këtë e pohon edhe trajneri Jeraj Rodriges, gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Spanjolli beson se skuadra e ka forcën për ta kaluar me sukses këtë 90-minutësh, ndonëse nuk e nënvlerëson kundërshtarin.

Rodriges

Si është situata në ekip në prag të nisjes së fazës së dytë?

Shumë e mirë, optimizmi është në maksimum. Grupi është më i bashkuar se kurrë dhe besimplotë për ta nisur me këmbën e mbarë këtë fazë të dytë. Kemi qenë shumë të fokusuar në çdo seancë stërvitore dhe ndeshjen e radhës e kemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Duam të vijojmë serinë pozitive të rezultateve, ndaj fokusimi ynë është në nivelin maksimal.

Do të keni tri mungesa të rëndësishme, ju shqetësojnë?

Më shqetësojnë pak, por jemi të përgatitur për çdo situatë. Është e natyrshme që gjatë kampionatit do të ketë dëmtime, do të ketë edhe kartonë. Përtej këtyre tri mungesave të sigurta, ajo që më ngroh më së shumti është uniteti dhe gatishmëria e grupit, pasi kemi përherë lojtarë të fortë dhe të gatshëm. Ne kemi besim te të gjithë ata që futen në fushën e lojës.

Duke qenë se është “derbi”, i keni bërë një përgatitje ndryshe kësaj përballjeje?

Të tregohem i sinqertë, nuk kemi bërë ndonjë përgatitje ndryshe. Kemi punuar njësoj si për ndeshjet e tjera. Jemi përpjekur vetëm të mbajmë sa më larg ngarkesën emocionale. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj sfide. Por të mos harrojmë se në këtë kategori të gjitha përballjet janë të vështira, qoftë “derbi” apo jo. U kam kërkuar lojtarëve të ruajnë qetësinë, të mbajnë lart moralin dhe të kenë mentalitetin e duhur për të dalë fitimtarë.

E prisni Lushnjën në “Loni Papuçiu”, a është ky një favor?

Do të synojmë fitoren, ashtu sikundër bëjmë çdo javë. Mirëpo për ta arritur, duhet të bëjmë maksimumin në fushë dhe një lojë të bukur, siç e bëmë së fundmi ndaj Vorës. Nuk mund ta mohoj që kjo ndeshje meriton vlerësim maksimal, edhe prej kundërshtarit, por në fund të fundit të gjitha ndeshjet vlejnë tri pikë. Ne shikojmë vetëm veten tonë dhe mendojmë vetëm për tri pikët. Janë të gjitha mundësitë për të marrë fitoren e radhës në stadiumin “Loni Papuçiu”.

E keni një mesazh për sportdashësit e tifozët?

I pres të vijnë të shumtë në numër, që ta kthejmë në festë. Ndonëse është mesjavë dhe mund të kenë angazhimet e tyre, i dua në krahë. Falë mbështetjes së tyre të pakursyer, ne jemi bërë një skuadër fushe.

Cilët janë kundërshtarët e Apolonisë?

Të gjithë pa përjashtim. Janë edhe dy faza të tjera për t’u zhvilluar dhe gjithçka është dhe do të jetë e hapur deri në finish. Por kundërshtari për të cilin kemi menduar gjerë e gjatë është Lushnja, sepse nuk mund të shkojmë më larg se ndeshja e radhës.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"