Mundën Tomorin, kapiteni i Besës: Treguam sa vlejmë, kemi sulmin më të frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2021 | 17:08

Mundën Tomorin, kapiteni i Besës: Treguam sa vlejmë, kemi sulmin më të frikshëm

Mjaftoi një fitore dhe në Kavajë  është kthyer qetësia. Më shumë se rezultati, bind paraqitja dhe grinta. Besa ia doli në një terren të rënduar nga shiu dhe në shtesë, çka dëshmon se kjo skuadër nuk di të dorëzohet. Ledjon Muçaj mendon se ky 90- minutësh tregoi forcën e vërtetë të verdhezinjve.

besa

Deklaratën e tij për “Panorama Sport” kapiteni e nis kështu:

“Disa vlejnë më shumë se tri pikë. E tillë ishte kjo me Tomorin, për vetë kushtet në të cilat u zhvillua. Rrallë ndodh që të luash 90 minuta me shiun mbi shpinë dhe ti duhet të vraposh, luftosh, gabosh e korrigjosh. Shumë herë u nisëm me top, që nga uji mbeste prapa e duhej kthyer e luftuar për ta marrë.

Ishte luftë me shiun, me kundërshtarin dhe objektivin. Jua them sinqerisht se ka qenë fitorja që më ka gëzuar më shumë, sepse tregoi realisht mundësitë dhe atë çfarë duhet të bëjmë. Më gëzoi shumë dhe zhbllokimi i Edmond Hoxhës, pasi vërtet kemi sulmin më të frikshëm të Kategorisë së Parë. Vetëm se te Besa të gjithë duan të shënojnë, rasti ideal është mbrojtësi Perja dhe kjo është gjë e mirë”.

GABIMET – Teksa analizon gabimet e bëra në këto 11 javë, ai evidenton se vetëm me Apoloninë mund ta kenë merituar humbjen. “Të barazosh apo të humbësh, është diçka krejt normale. Duke përjashtuar Apoloninë, në të gjitha takimet e tjera nuk kemi merituar që të lëmë pikë. Shpesh ndëshkohemi në finish, por edhe kemi shpërdoruar shumë. Ndoshta edhe epërsia e thellë në lojë na ka bërë dëm, pasi kemi ecur me mendimin se ka kohë për të shënuar dhe minutat iknin më shpejt sesa do ti. Thënë drejt e shkoqur, kemi lëshuar pikë që kurrsesi nuk duhet t’i linim”, u shpreh 29-vjeçari.

GARA – Kapiteni beson se pas kësaj fitoreje gjërat duhet të ndryshojnë. “Ky kampionat është ndër më të fortët, më të bukurit dhe më të paparashikueshmit. Referojuni rezultateve të Shkumbinit, Burrelit, Korabit, Tërbunit e të tjerave. Nuk ka më ekip që mendon se mund ta mposhtësh lehtë. Ne jemi koshientë për këtë dhe në javët në vijim do të dëshmojmë se vetë kemi gabuar, vetë do të korrigjojmë. Pa diskutim kjo do të ndodhë vetëm nëse tregojmë atë shpirt gare e sakrifice që treguam me Tomorin”, përfundoi Muçaj.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"