MOVIOLA/ Penallti bujare për Tiranën, VAR-i bëhet protagonist! Teknologjia anulon një 11-metërsh dhe një gol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 14:25

MOVIOLA/ Penallti bujare për Tiranën, VAR-i bëhet protagonist! Teknologjia anulon një 11-metërsh dhe një gol

Ishte një javë përgjithësisht pozitive për gjykimin, por nuk kanë munguar rastet e diskutueshme. Pjesa më e madhe e vendimeve kanë qenë të sakta, të tjerë që janë çështje interpretimi dhe korrigjime nga sistemi VAR.

WhatsApp Image 2024-04-19 at 15.56.25

PARTIZANI-DINAMO 2-0

Gjyqtarë: K.Barjamaj, R.Avdo, A.Zalla (Tiranë); VAR: J.Xhaja (Tiranë), AVAR: E.Rusta (Elbasan)

Ndeshja e luajtur në “Arenën e Demave” mes Partizanit dhe Dinamos u arbitrua nga Kreshnik Barjamaj. Kjo sfidë i kishte të gjitha: penallti, karton të kuq dhe 11-metërsh të anuluar. Edhe me ndihmën e VAR-it, Barjamaj ka marrë vendimet e duhura.

40’ Gjyqtari Bajramaj sinjalizon fillimisht penallti për Partizanin, pas ndërhyrjes së Behiraçes ndaj Taipit, por pas konsultimit me VAR-in vendimi kthehet. Ndërhyrja e mbrojtësit konsiderohet e rregullt. Pamjet flasin për një moment të dyshimtë, por më shumë Behiratçe shkel topin dhe Taipi gjen kontaktin me këmbën e mbrojtësit të Dinamos.

45+2’ Akordohet 11- metërsh për Dinamon, pas ndërhyrjes së gabuar të Atanaskoskit, që mbërrin pas Zabërgjës dhe ndërhyn në mënyrë të gabuar. Vendim i drejtë i gjyqtarit Barjamaj, që në këtë rast është i saktë që në fushë, pa ndihmën e VAR-it.

47’ Gudiabi ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe lë skuadrën me 10 lojtarë, pas përplasjes me Muratajn. Edhe kapiteni i Partizani ndëshkohet me karton të verdhë. Pamjet tregojnë për një shtyrje me kokë ndaj Muratajt që e luan mjaft mirë lojën e provokimit dhe nxjerr jashtë binarëve kundërshtarin.

ERZENI-TIRANA 0-2

Gjyqtarë: E.Jorgji, A.Mahmuti (Elbasan), D.Rexha (Tiranë); VAR: D.Maletaj; AVAR: A.Dodaj (Tiranë)

Ndeshja mes Tiranës dhe Erzenit pati tre raste për moviolë. Janë dhënë dy penallti, një nga të cilat e dyshimtë, dhe është anuluar një gol në favor të Tiranës.

17-19’ Jorgji akordon penallti për bardheblutë, pas prekjes me dorë të topit nga Atanda. VAR-i konfirmon situatën dhe penalltia mbetet, por Jorgji në këtë rast duket se është treguar shumë bujar. Prekja me dorë është, por Atanda është shumë afër në dyluftimin ajror dhe nuk ka asnjë qëllim për t’i hequr kundërshtarit mundësinë e golit.

51-53’ Hoxhallari shkakton faull, duke goditur Zekën në zonë, Jorgji akordon penallti për shijakasit. Faulli konfirmohet edhe nga VAR-i. Vendim i drejtë i Jorgjit.

63’ Gol i anuluar te Tirana. Patrik, brenda zonës, gjuan menjëherë dhe shënon, por gjyqtari e anulon golin, pasi Kristal Abazaj është në trajektoren e topit. Vendim i drejtë i gjyqtarëve.

TEUTA-VLLAZNIA 0-0

Gjyqtarë: L.Alla, M.Qose (Lushnjë), E.Doda (Tiranë); VAR: K.Prenga (Laç), AVAR: K.Cjapi (Fier)

Ndeshja e gjykuar nga kryesori Laver Alla pati tre momente të diskutueshme. Në të tria rastet duket se janë marrë vendime të drejta, pavarësisht kontestimeve të shkodranëve.

12’ Shkodranët pretendojnë për penallti. Ka një prekje të topit me dorë nga Gjini në një duel me Malën, por distanca mes lojtarëve është shumë e afërt. Alla vazhdon lojën dhe vepron drejtë.

50’ Shënon Teuta me Llocin, por goli anulohet për pozicion jashtë loje. VAR-i i jep të drejtë anësorit, pasi Beqja është më i avancuar në devijimin e topit para se të shkojë te Lloci. Vendim i drejtë.

87’ Shkodranët pretendojnë për penallti, duke shkuar të gjithë tek Alla, pas ndërhyrjes se Vatës ndaj Ajdareviçit. Pamjet tregojnë që lojtari i Vllaznisë tenton ta “vjedhë” penalltinë, duke tërhequr këmbën. Ka një kontakt, por shumë i lehtë, nuk mjafton për penallti.

KUKËSI-SKËNDERBEU 0-2

Gjyqtarë: I.Myrtja, J.Podgorica (Shkodër), E.Gjoka (Lezhë), VAR: E.Hamiti; AVAR: R.Çokaj (Lezhë)

Ndeshja u gjykua nga kryesori Indrit Myrtja dhe pati tre raste kyçe: penalltinë në favor të Skënderbeut, një pretendim për penallti të Kukësit dhe golin e anuluar për vendësit në fund.

31’ Hasaj tregohet i pakujdesshëm dhe shkel Jurin sapo braziliani i Skënderbeut hyn në zonë. Nuk ka dyshime për Myrtjan, 11- metërsh për Skënderbeun. Vendim i drejtë nga shkodrani.

45+2’ Ka një pretendim nga kuksianët për penallti, për një shtyrje të Liços ndaj Solodovnikov në zonë, pas krosit nga këndi. Gjyqtari Myrtja vazhdon lojën dhe VAR-i nuk ndërhyn. Ka kontakti, por pamjet nuk janë shumë të qarta për të kuptuar a mjafton për penallti.

87’ Një topi i rikuperuar në mesfushë shndërrohet në një mundësi të mirë për Kukësin. Solodovnikov pason për Fejzajn, që godet tokazi dhe e çon topin në rrjetën e Alias. Goli anulohet më pas nga gjyqtari pas sinjalit të marrë nga VAR-i, që sheh një pozicion jashtë loje të sulmuesit moldav, edhe pse milimetrik.

LAÇI-EGNATIA 1-2

Gjyqtarë: F.Lata (Durrës) R.Zajimi (Poliçan), D.Kasa (Kavajë); VAR: O.Yzeiraj (Patos), AVAR: A.Gaci (Tiranë)

Kjo ishte ndeshja e vetme që nuk pati raste të diskutueshme gjatë javës së 32-të të Superiores.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"