Moshat U-17/ Shkëndija pa frena, thyhet Tirana. Partizani merr fitoren e parë në kampionat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2021 | 17:46

Moshat U-17/ Shkëndija pa frena, thyhet Tirana. Partizani merr fitoren e parë në kampionat

Kategoria Superiore për moshat U-17, luajti ndeshjet e javës së 16-të.  “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

internacional u-17

Internacionali parakalon bardheblutë

1

Superndeshje mes Internacionalit dhe Tiranës, me vendësit që festuan fitoren pas një loje më të mirë se bardheblutë. Tre gola janë shënuar që në pjesën e parë dhe më pas në të dytën skuadrat nuk gjetën dot rrjetë. Të parët kanë kaluar në epërsi vendësit e Internacionalit falë Emiljano Guçit, i cili ka shënuar që në minutën e 4-t. Mirëpo, reagimi i bardhebluve nuk vonoi. Në minutën e 28-të, Sina ka fituar një 11-metërsh, të cilin e ka ekzekutuar po vetë dhe barazoi shifrat. Loja bëhet e bukur dhe me shumë rivalitet, derisa 4 minuta para fundit të pjesës së parë, Cana me një manovrim brenda zonës, shënon edhe golin e dytë për Internacionalin. Në fraksionin e dytë të dyja skuadrat kanë prodhuar lojë dhe raste, por rezultati nuk ka ndryshuar. Kjo fitore e ngjit skuadrën e Internacionalit në vendin e tretë me 30 pikë, ndërsa bardheblutë mbeten të katërtit me dy pikë më pak. Gjithsesi, të dyja skuadrat kanë diferencë jo të vogël me ekipet që kryesojnë. ABDULLA DUSHKU

Partizani gjen fitoren

2

Më në fund Partizani i Ledio Panos arrin të fitojë për këtë sezon. Paratërinjtë e kuq ia dolën të mposhtnin Briansin, në një takim shumë të luftuar dhe me tension. Çela shënoi për të kuqtë që në minutën e 13-të, por Biba barazoi shpejt për lezhjanët. Gjithsesi, hero për Partizanin u bë Gjeta në minutën e 38-të me golin e dytë. ABDULLA DUSHKU

Vllaznia bind në Laç

3

Vllaznia po ngjitet gradualisht në tabelë dhe fitorja në Laç konfirmoi se kuqeblutë e Bizit po kalojnë një formë të mirë. Zaganjori shënoi në fundin e pjesës së parë, ndërsa në fillimin e së dytës, Myftari për kurbinasit vendosi baraspeshën. Gjithsesi, Palali i ardhur nga stoli rezultoi deciziv, duke u dhënë tri pikë të arta shkodranëve. ABDULLA DUSHKU

Deda nderon Shënkollin

4

Një gol i Dedës që në minutën e 10-të nderon Shënkollin në transfertën e Shkodrës. Skuadra e Klajti Reçit mori tri pikë shumë të rëndësishme për vazhdimësinë në kampionat, duke ruajtur kryesimin, ndërkohë që ka edhe një ndeshje më pak kundër rivalit direkt, Shkëndijës së Tiranës. Shkodra bëri gjithçka për të ndalur Shënkollin, por nuk ia doli. ADMIR URUÇI

Akademia likuidon Teutën

5

Akademia e Futbollit feston në Durrës, duke mposhtur Teutën me shifrat 2-3 në një takim spektakolare. Në pjesën e parë vendosi goli i Halilajt për miqtë. Mirëpo, i njëjti autor dyfishoi shifrat në fillimin e pjesës së dytë. Durrsakët u shthurën dhe Kurti shënoi golin e tretë. Dopieta e Shtrazës në fund ishte vetëm për statistikë. ZAMIR QYPI

Spektakël i Shkëndijës

6

Derbi mes dy shkollave të mesme të futbollit, Shkëndijës së Tiranës dhe asaj të Durrësit, ka folur për skuadrën e drejtuar nga Endri Vrapi. Jushi në minutën e 16-të, dopieta e Laçkës dhe Azizajt u bënë protagonistë. Shkëndija e ka kontrolluar totalisht takimin, madje ka pasur mundësi të shënojë edhe më shumë se katër gola. ABDULLA DUSHKU

“Poker” për një pikë

7

Ndeshja mes Flamurtarit dhe Football Republic në stadiumin e Vlorës pas incidentit të dy javëve më parë në fushën e Pyllit të Sodës. Kuqezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se barazimi 2-2, ndërsa i kishin të gjitha mundësitë për ta fituar. Goli i Hoxhës në minutën e 90-të ua prishi festën vlonjatëve, që kryesonin pas dopietës së Kondajt. ERMAL SIKA

Apolonia nuk përmbahet

8

Apolonia shkatërron Pogradecin dhe e zhyt në fundin e renditjes. Që në fillim, loja foli për miqtë, të cilët me anë të Pucit dhe Abazajt shënuan dy gola të shpejtë. Ishte sërish ekipi fierak që dominoi në minutat në vijim, duke konkretizuar me tre gola të tjerë. Lutaj dhe Kullau shënuan brenda pjesës së parë, ndërsa Gega në të dytën. REDI DANDALLAKU

Pepa surprizon Besën

9

Pepa ka surprizuar Besën, duke i kthyer reston pas humbjes që kavajasit i shkaktuan në fazën e parë në Elbasan. Duket se ky nënvlerësim u kushtoi rëndë vendësve, pasi miqtë nga Elbasani befasuan në limitin e pjesës së parë me Bahitin, i cili goditi në hyrje të zonës. Në 45 minutat e dyta Hima dyfishon shifrat për Pepën. FERIZ FERIZAJ

Vora, leksion korçarëve

10

Super-Vora shpartallon Skënderbeun, duke i dhënë një “shuplakë” me pesë gola. Sajdi Thana me tripletë dhe golat e Qinamit e Muçës, kanë nderuar Vorën pas një loje mjaft të bukur kundër Skënderbeut. Korçarët kanë realizuar golin e nderit me Kocaqin në fundin e lojës, që u dominua totalisht nga skuadra që drejtohet nga Gentjan Brahimaj. ABDULLA DUSHKU

17a 17b

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"