MOSHAT U-17/ Ngec Tirana, Teuta kthehet e para. Ja të gjitha rezultatet dhe skedat e ndeshjeve
Kategoria Superiore për moshat U-17, luajti ndeshjet e javës së pestë. “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:
Shkëndija e Durrësit fundos Partizanin
Partizani vazhdon të vuajë në kampionatin e paratërinjve. Bllokimi i të gjitha transferimeve të skuadrave që kanë lidhje me klubin e kuq nga FIFA ka krijuar një vështirësi të madhe për 17-vjeçarët e drejtuar nga Ledio Pano. Duke qenë se është bërë ndërrimi i brezave, në këtë ekip ka shumë lojtarë që nuk kanë mbushur ende 16 vjeç. Në ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Shkëndijës së Durrësit, të kuqtë e vegjël janë mposhtur me rezultatin e thellë 1-4.
Që në pjesën e parë miqtë bënë diferencën me dy gola të Saraçit dhe Dashit. Në minutën e 66-të Partizani shkurtoi shifrat falë golit me 11-metërsh të Qokajt dhe u duk sikur loja u rihap. Mirëpo, Shkëndija iu fal formës së mirë të Saraçit, i cili në minutat 71 dhe 75 realizoi edhe dy herë të tjera për miqtë. Një fitore e rëndësishme për skuadrën që përfaqëson shkollën e futbollit të Durrësit, ndërsa Partizani mbetet në vendin e fundit me vetëm dy pikë pas gjashtë javësh kampionat. ABDULLA DUSHKU
Kryendeshja pa fitues
Shkëndija dhe Tirana ndanë pikët në kryendeshjen e javës së gjashtë për U-17. Dy skuadrat që mendohet se do të luftojnë për titullin kampion të kësaj grupmoshe nuk kanë qenë të sakta para portës. Edhe pse rastet për gol nuk munguan në të dyja pjesët, sërish rrjetat mbetën të paprekura. Shkëndija ishte më kërkuese për 90 minuta. ABDULLA DUSHKU
Derbi, barazim me gola
Shkodra dhe Vllaznia ndanë pikët në derbin e U-17. Skuadra private e drejtuar nga Rudi Piraniqi ishte afër fitores, por në minutën e 85-të, Dodaj barazoi shifrat duke i dhënë një pikë Vllaznisë. Shkodra arriti të kalonte në avantazh me anë të Gjelajt në minutën e 42-të. Kuqeblutë ushtruan presion të vazhdueshëm derisa gjetën golin e barazimit. ADMIR URUÇI
Shkëlqen Skënderbeu
Skënderbeu del me tri pikë nga Vlora, teksa mund Flamurtarin me rezultatin 1-3. Korçarët ishin më të qartë në aksionet e tyre, duke shënuar me Lamellarin në minutën e 40-të. Në fillimin e pjesës së dytë ishte Kocaqi që dyfishoi shifrat. Leshi shkurtoi diferencën në 1- 2, por kjo nuk mjaftoi. Miqtë vulosën fitoren me golin e Hasajt. ERMAL SIKA
Durrsakët marrin kreun
Teuta merr sërish kreun e renditjes në grupin B pas fitores në Durrës me shifrat 3-0 ndaj Pepës. Pjesa e parë nuk pati gola, edhe pse skuadra e Edlir Tetovës dominoi me lojë. Duhet të vinte minuta e 58-të kur Hasanbelli do të kalonte në avantazh Teutën. Më pas gjithçka u thjeshtësua për durrsakët, pasi shënuan Taraj dhe Shtraza në fund. ZAMIR QYPI
Tension në Pezë
Shënkolli ndalet nga Internacionali me një penallti në minutën e 98-të. Ndeshja e luajtur në Pezë ka qenë mjaft e luftuar, ndërsa u ndërpre për 8 minuta, pasi prindërit e futbollistëve jashtë rrethimit të kompleksit krijuan trazira. Penalltia e Internacionalit u kontestua nga kampionët në fuqi të Shënkollit, ndërsa gjithçka u mbyll 2-2. ABDULLA DUSHKU
Akademia bën spektakël
Akademia e Futbollit dhuron spektakël në Pogradec. Ahmati ka qenë protagonist absolut me tre gola, ndërsa shënoi edhe Halilaj. Skuadra liqenore u tregua e pafuqishme, pasi vetëm në minutën e 88-të, Guxholli shënoi golin e nderit. Ahmati vulosi gjithçka me golin e katërt për miqtë pas një topi të marrë nga e djathta e sulmit. REDI DANDALLAKU
Puqja nderon Besën
Një gol i Puqjes në minutën e 84-t i ka dhënë tri pikë të arta Besës në përballjen ndaj Football Republic. Ka qenë një lojë e bukur nga të dyja ekipet. Besa pati një dominim të lehtë, por nuk arriti të gjente golin më shpejt. Te kavajasit portieri Nova dalloi për pritjet e tij. Skuadra e Memellit këmbënguli deri në fund, por doli pa pikë. FERIZ FERIZAJ
Apolonia ndal Vorën
Vora ka qëndruar vetëm një javë në krye të renditjes së grupit B, pasi ndaj Apolonisë nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1. Fierakët shënuan të parët me anë të Lutajt, por menjëherë vendësit reaguan. R.Brahimaj vendosi shumë shpejt baraspeshën, por nuk pati më gola të tjerë, edhe pse skuadrat luajtën hapur në pjesën e dytë. ABDULLA DUSHKU
Laçi i falet Ndrecës
Laçi ka mposhtur minimalisht Briansin, duke marrë tri pikë shumë të rëndësishme në fushën e vet. Loja ka qenë shumë e fortë, por ka vendosur goli i Ndrecës në minutën e 26-të. Lezhjanët u munduan të reagonin dhe krijuan disa raste për shënim në pjesën e dytë, por mbrojtja kurbinase ishte në një ditë të mirë dhe ruajti rezultatin. ABDULLA DUSHKU
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"