MOSHAT U-15/ Internacionali dhe Apolonia vazhdojnë të dominojnë grupet, ndalet Tirana

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2020 | 22:18

MOSHAT U-15/ Internacionali dhe Apolonia vazhdojnë të dominojnë grupet, ndalet Tirana

Kampionati shqiptar për moshat U-15, luajti këtë fundjavë ndeshjet e javës së 15-të, “Panorama Sport”, ju sjell skedat e ndeshjeve të zhvilluara:

u15

Dopieta e Zaganjorit thyen Partizanin

1

Vllaznia ka marrë një tjetër fitore në kampionat, teksa vijon rrugëtimin drejt kreut. Në takimin ndaj Partizanit në “Reshit Rusi” ka vendosur dopieta e Zaganjorit. Ndeshja është shoqëruar me një rivalitet të madh dhe pjesa e parë, pavarësisht rasteve të krijuara nga të dyja ekipet, nuk ka prodhuar gol. Në të dytën, ka qenë krejt ndryshe. Në minutën e 42-të Kola që ka bërë gjithçka mirë në krahun e majtë, e më pas ka krosuar në zonë, aty ku Zaganjori i vetëm përballë portierit nuk e ka pasur shumë të vështirë që të shënojë me kokë. Epërsia e kuqebluve të drejtuar nga trajnerët Nefail Zhejani dhe Denis Zmijani ka vijuar. Në minutën e 63-të, shkodranët kanë fituar të drejtën e një 11-metërshi. Atë e ka marrë përsipër sërish Zaganjori, që është treguar i saktë. Me 2-0 duket se ndeshja mbaroi, por Partizani reagon me Çelën shkurton shifrat pas një penalltie. Të kuqtë insistojnë deri në fund për barazimin, por gjithçka mbyllet 2-1. Admir Uruçi

Tris i Internacionalit

2

Internacionali kryesues i kampionatit U-15 ka triumfuar në ndeshjen e radhës ndaj Kukësit, ekipit që mbyll tabelën e klasifikimit. Guci ka kaluar në avantazh vendësit në minutën e 23-të, ndërsa dominimi i ekipit të Artur Shulkut ka qenë absolut. Megjithatë, vetëm në pjesën e dytë u thellua rezultati, pasi shënuan nga një gol Haslamaj dhe Biba. Abdulla Dushku

Ngecin bardheblutë


3

Tirana nuk ka shkuar më shumë se barazimi 0- 0 në transfertën ndaj Briansit. Skuadra bardheblu ka bërë kështu një hap fals, pasi tashmë e shikon veten larg kreut me pesë pikë. Lezhjanët e vegjël janë mbrojtur mirë dhe kanë kundërsulmuar rrezikshëm, duke pasur edhe ata rastet e tyre për shënim. Bardheblutë krijuan presion, por s’patën shënjestër. Preng Gjikola

Teuta ngjitet e dyta

4

Teuta ka mposhtur Elbasanin dhe është ngjitur në vendin e dytë të Grupit B. Ka qenë një ndeshje jo e lehtë për durrsakët, pasi zhbllokimi i rezultatit ka ardhur vetëm në pjesën e dytë. Damini kaloi në avantazh Teutën, ndërsa më pas Demircani dhe Hazisllari vulosën shifrat 3-0. Elbasani bëri pak për të dalë me pikë nga ky takim. Zamir Qypi

“Paqe” mes dy akademive5

Akademia e Futbollit dhe Football Republic kanë ndarë nga një pikë në ndeshjen mes tyre. Stafuka ka shënuar i pari për vendësit, por pa u mbyllur pjesa e parë, skuadra e drejtuar nga Mateus Qirinxhi ka barazuar me shifrat pas një penalltie të kthyer në gol nga Teqja. Në pjesën e dytë skuadrat e kishin të vështirë për të realizuar. Abdulla Dushku

Marshon Apolonia

6

Apolonia nuk fal as ndaj Luftëtarit, duke fituar me shifrat 3-1 në Fier. Nuk ka qenë një ndeshje e lehtë për kryesuesit e Grupit B, pasi përtej avantazhit të shpejtë me Çakajn, gjirokastritët kanë barazuar shifrat pa u mbyllur pjesa e parë me anë të Islamit. Megjithatë, Apolonia bëri diferencën në pjesën e dytë me Toskën dhe Lutajn. Bujar Rama

Tomori i ikën fundit

7

Tomori ia del të ndalë Pepën në shtëpi, në një barazim të drejtë dhe që shfaqi vlerat e skuadrës beratase. Në dy takime të zhvilluara në shtëpi brenda tri ditëve, beratasit kanë grumbulluar katër pikë dhe i janë larguar fundit. Kapiteni Boni dhe Hoxha shënuan për Tomorin, ndërsa Muça dhe Notolli ishin protagonistët e golave për miqtë. Edi Spahiu

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"