“Mos u habisni, ne kemi eliminuar edhe Partizanin”, Bruka: Ringritja e Besëlidhjes nis nga Apolonia!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2022 | 10:54

“Mos u habisni, ne kemi eliminuar edhe Partizanin”, Bruka: Ringritja e Besëlidhjes nis nga Apolonia!

Besëlidhja kërkon autokritikën. Edhe pse vëmendja është e gjitha në kampionat, Kupën e Shqipërisë e shohin si një mundësi për t’u rimëkëmbur. Këtë e thotë edhe vetë Alban Bruka, gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”. Do të udhëtojnë me mungesa në Fier, por trajneri pret kualifikimin. Kanë humbur 1-0 në aktin e parë, por tekniku nuk habitet me përmbysjen.

BRUKA BESELIDHJA

“Ndonëse vijmë nga një ndeshje e humbur thellë me Dinamon, nesër (sot) në Fier do të luftojmë për një rezultat pozitiv. Pse jo, edhe për kualifikim.

Besëlidhja e pesë-gjashtë viteve të fundit ka bërë histori në këtë kompeticion, ndaj mos u habisni.

Ne jemi ata që jemi vajtur deri në gjysmëfinale, pasi kemi lënë pas ekipe si Flamurtari apo Partizani.

Ashtu si ndaj kryeqytetasve, edhe me Apoloninë do të kem ekip të përgjysmuar. Ende nuk më janë rehabilituar të dëmtuarit. Edhe pse me Dinamon më zhgënjyen disa, unë nuk dua ta humbas besimin edhe te futbollistët e stolit. Ne fokusin e kemi të përqendruar te kampionati.

Jo vetëm që kemi objektivat, por jemi shumë poshtë në renditje dhe na duhet shumë punë për ringritje.

Pozitiv për ne është fakti se Kategoria e Parë është në fazën fillestare dhe nëse mobilizohemi e kapim kohën e humbur. Duhet të jemi vigjilentë në të gjitha takimet brenda dhe jashtë fushës sonë”, përfundoi Bruka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"