Mos e cenoni figurën e trajnerit. Mbrojeni!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2023 | 17:43

Mos e cenoni figurën e trajnerit. Mbrojeni!

NGA BESNIK DIZDARI
Të dielën në mbrëmje, mbas humbjes 2-3 prej Teutës së Durrësit, edhe pse skuadra e tij kryesonte 2-0, trajneri i Dinamos, Luixhi di Biaxho, madje paksa me lot në sy, dha menjëherë dorëheqjen. Ai është një trajner nga Italia, madje 2 herë trajner i Kombëtares së Italisë përveçse lojtar i saj në nja 30 ndeshje. Sigurisht ndodh edhe kështu…

Besnik-Dizdari

Por nuk e kemi fjalën vetëm te ky rast, ndonëse ai do të mbesë disi historik në jetën e kampionateve të Shqipërisë. E kemi fjalën te rastet e pafundme të dorëheqjeve apo të pushimeve nga puna të trajnerëve të klubeve të futbollit në Shqipëri. Merreni me mend: vetëm brenda 9 javëve të para të këtij kampionati 2023- ‘24, Shqipëria ka ndërruar 7 trajnerë të klubeve. Kjo do të thotë se nga 10 skuadrat e kampionatit, brenda vetëm 9 javëve të tij të para janë pushuar apo larguar trajnerët e 6 skuadrave. Rekord! Pra vetëm brenda nja një muaji e gjysmë garë.

Sigurisht kjo nuk ngjet askund në tjetër në Europë. Vërtet trajnerët ndërrohen, shkarkohen, dorëhiqen, ikin jo vetëm në Shqipëri, por askund tjetër deri në këtë shkallë. Ose askund tjetër si në kampionatin kombëtar të Shqipërisë. Sezonin e shkuar u ndërruan 15 trajnerë. Vetëm dy skuadra nga 10 që ishin, nuk ndërruan trajnerët: Partizani e SK Tirana.

Nuk po shkojmë te kampionatet e tjera, ku situata është po e njëjtë.

Dhe i kthehem rastit të trajnerit Di Biaxho. Dinamo zbriti në vendin e 10-të, pra të fundit. Kështu mbas vetëm 9 ndeshjeve. Po cili “magjistar” ishte kaq i zoti sa të parashikonte se mbas kësaj situate vërtet të vështirë të Dinamos, ky trajner nuk do t’ia arrinte ta përmirësonte situatën e saj? Në fund të fundit, çka janë 9 javë? A nuk janë shumë pak për një kampionat fort të gjatë prej 36 javësh?

Shqipëria e ka cenuar keqas personalitetin dhe figurën e trajnerit të klubeve të saj të futbollit. Ata janë kthyer në profesionistë të pasigurt, të pafat, disi të frikësuar, madje edhe prej 3 golave të pësuar në 15 minutat e fundit të një ndeshjeje. E pra, nuk besoj se për pësimin e këtyre tre golave, në rastin në fjalë, të jetë kryefajtor trajneri Di Biaxho. Para tij janë fajtorë lojtarët në fushën e lojës. Disa prej të cilëve të ngadalshëm, të pakujdesshëm, të hutuar e të vetëkënaqur pa mbaruar ndeshja. Mos të harrojmë: trajneri nuk është në fushën e lojës, është në stolin e drejtimit, çka nuk do të thotë se po ai qenka fajtor për lojtarin që nuk mbron apo për lojtarin që papritmas humb vigjilencën apo vëmendjen e lojës në minutën 90-të, si për shembull në rastin e lojtarëve të Skënderbeut të Korçës në humbjen me Vllazninë.

Kështu “dalëngadalë” vetvetiu mbërrijmë te problemi tjetër që na thotë se trajnerët e klubeve shqiptare janë më të sulmuarit thuajse çdo javë, teksa mbas humbjes së ndeshjes ata shfaqen në studiot televizive me vështrime jo pak të tronditura. Kjo edhe ngaqë gazetarët me një “kompetencë” gati absolute, i cenojnë me pyetjen e jashtë çdo etike: “A e rrezikoni stolin tuaj të drejtimit mbas kësaj humbjeje?”. Interesante vërtet se si nuk ndodhi që diku të dëgjojmë pyetjen ndaj një gazetari: “A e rrezikon vendin e punës, sepse nuk po përparon siç duhet në profesion, keni mbetur vendnumëro, nuk shtjelloni me kompetencë të vërtetat, nuk botoni asnjë shkrim kritik të punëve që nuk shkojnë mirë, nuk ua mban të kritikoni asnjë lojtar, por veç trajnerët, teksa përkëdhel edhe FSHF-në e pronarët e klubeve (presidentët)?

Me sa duket, fajtori në Shqipërinë e futbollit të klubeve, tashmâ është gjetur. Ai është vetëm një: trajneri. Askush tjetër. E ka fajin trajneri edhe kur lojtari humbet golin i vetëm tri metra para portës, kur ndërhyn brutalisht ndaj kundërshtarit, e gati i thyen këmbën, e madje çuditet kur merr kartonin e kuq. E ka fajin trajneri kur lojtari nuk zbaton detyrat e trajnerit në mbulimin e kundërshtarit apo kur lojtari nuk ia pason topin shokut të vetëm para portës, por me egoizëm do të shënojë vetëm ai. E ka fajin trajneri kur lojtari bën sikur është traumatizuar e shtrihet në fushë për të humbur kohën, e mandej paritmas rrufeshëm ngrihet në këmbë sapo sheh se e ka marrë topin skuadra e tij. E plot të tjerë raste kësisoj…

Sigurisht kurrë trajneri nuk mbetet jashtë përgjegjësisë. Mirëpo nuk mund të harrojmë se në fund të fundit, ai është në stolin e drejtimit dhe jo në fushën e blertë të lojës. E më vjen ndërmend të kujtoj edhe këtu rastin e trajnerit brazilian Saldanja, i cili ndërtoi Brazilin e viteve ’70-të. Mbasi ia parashtronte taktikën skuadrës para ndeshjes, ai u thoshte lojtarëve:

“Nëse brenda 10 minutave të para kjo ju dështon, atëherë luani si t’ua marrë mendja ju”. Natyrisht, ai kishte Brazilin legjendar të Peles me shokë, por kjo filozofi e tij na kujton se, në fund të fundit, në fushën e blertë nuk luan trajneri por lojtarët.

Pra, “pak ma kadalë, bre burrë”, siç e përsëris shpesh edhe këtë thirrje të butë prej gazetari, marrë prej Malcisë.

Kështu pra, Shqipëria vazhdon ta cenojë figurën e trajnerit të skuadrës së qytetit, duke mos e lënë atë të punojë, si të thuash, disi lirshëm, qoftë dhe në “krijimtarinë” e tij. E drejtimi teknik i një skuadre, ka përherë edhe ai “krijimtarinë” e vet. Kësisoj, prej vitesh nuk po e lejojnë trajnerin të formojë një skuadër përsëmbari, ta njohë mirë skuadrën që drejton, ta njohë mirë futbollin e qytetit. Mbi të gjithçka t’i njohë po mirë talentet e qytetit. Të lihet kështu që të guxojë, qoftë edhe për të eksperimentuar e të mos e nxisin pa ia nda në atë që në Shqipëri vazhdojnë të mos e quajnë shqip “treg”, por i thonë si në një zbulim “poetik” “merkato e futbollit”, një thirrje kjo e pamëshirshme, thuajse e përjavshme. E mû kjo nuk e lejon trajnerin që të mendojë disi për më larg, për të ardhmen e skuadrës, pse jo, duke e penguar që t’i japë përparësi edhe autoktonisë apo traditës së futbollit të qytetit, që prej kohësh ndër ne ka marrë fund. Deri aty saqë më tepër se gjysma e skuadrës nuk është prej qytetit “tonë”. Deri Vllaznisë së talenteve të mëdha, nga 13 lojtarë të ndeshjes së fundit i gjeta plot 7 që nuk ishin të Shkodrës. A vërtet nuk lindin më talente as në qytetin e Veriut, epiqendër shekullore e zhvillimit të futbollit kombëtar? Por kjo është temë tjetër dhe e vjetër tashmâ…

Qëndrojmë te trajnerët. Besoj se e keni parë se si shkarkohen, se si flaken tej. Pra mbeten pa punë si punëtorët me mëditje, që “padroni” i ndërmarrjes i pushon pa shumë shpjegime përmes njoftimit të famshëm tashmâ që plot “etikë” thotë: “ndërpresim marrëdhëniet e deritashme”. Doemos pa iu dal zot sindikatat e trajnerëve, të cilat në futbollin shqiptar nuk ekzistojnë.

Dhe mbërrin trajneri tjetër, mbasi është pushuar diku tjetër edhe ai pak muaj apo një vit më parë, teksa mund të ketë parapëlqyer rolin e “analistit” televiziv. Oh, sa të tillë trajnerë që ka Shqipëria edhe në gazetarinë sportive, madje deri tre a kate në një studio të vetme televizive! Mandej, papritmas dikush e thërret në krye të një skuadre, e natyrisht edhe ai, duke qenë se duhet të mbajë familjen, pranon. Edhe pse i bindur se nuk do ta ketë të gjatë, e kjo i ka ndodhur shpesh, por në fund të fundit të shtyjë sa të shtyjë.

Trajnerit e lojtarit të kombëtares së Italisë, Luixhi di Biaxho, i cili deri parapak dilte me një farë sigurie në studiot televizive shqiptare, papritmas iu qartësua shikimi dhe e vërteta e kësaj Shqipërie të futbollit, teksa ajo iu shfaq pa mëshirë. Praktikisht vetëm e vetëm ngaqë mbas 9 javëve skuadra e tij zbriti e 10-ta, sepse kaq pak, me vetëm 10 skuadra është kampionati i Shqipërisë. Ngushtësi kjo që nuk të lejon aspak të gjesh hapësirë, disi më liberale të punës, pa shtrëngimin që ta zë frymën, ngaqë skuadra pësoi dy gola në minutën e 90-të dhe mund të rrezikojë të zbresë përsëri. Siç dhe i ka ndodhur 18 herë kampiones sonë, Dinamos, me dy rëniet e famshme të saj nga kategoria, duke munguar në kampionatet kombëtare në plot 10 prej tyre vetëm në 11 vjetët e fundit. Kjo me gjithë ndërrimet e pandalshme të trajnerëve në krye të saj.

Dhe shkoj tek e kaluara e trajnerëve të skuadrave në kampionatin e Shqipërisë. Xhevdet Shaqiri ka ndenjur 15 vjet trajner i Vllaznisë. Ka fituar me të 3 kampionate kombëtare, por ka kaluar edhe ditë të vështira. Myslym Alla ka qenë edhe ai gati nja 15 vjet trajner i 17 Nëntorit (SK Tirana), me të cilën pa lëvizur vendit ka fituar edhe ai 4 kampionate, ndonëse ka humbur disa. Po kështu i ka ndodhur edhe Loro Boriçit, Rexhep Spahiut, Zihni Gjinalit, Skender Jarecit…

Janë lënë të punojnë pra, edhe kur janë mërzitur fort, deri gjeneralët e Ushtrisë Popullore e të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dhe ata prapë e kanë riformuar apo formuar skuadrën. Nuk dua t’i absolutizoj këto raste klasike të harruara të këtyre mjeshtërve themelues të figurës së trajnerit në Shqipëri. Por, them se ka diçka për të mësuar edhe prej rasteve të tyre.

Sot skuadrat e kampionatit të Shqipërisë nuk kanë qëndrueshmëri. As në suksese tejet modeste që arrijnë, për çka ka ndikuar edhe te flakja tej në kohë rekord i trajnerëve, të cilët nuk mbështeten siç duhet që të punojnë, të përzgjedhin, të synojnë të ardhmen e skuadrës së qytetit. Përherë në përmasat e mjedisit futbollistik, ende modest në Shqipërinë e sotme, natyrisht. Çka po për fat, të duket se përvit sundohet vetëm prej një synimi monoton: Kupat e Europës! Që buçet sapo fillon sezoni i ri.

E pra nuk mund të jetë ky synimi sundues i kampionatit krejt modest të Shqipërisë me vetëm 10 skuadra. Shqipëria e futbollit po harron vetë vlerat e skuadrës së qytetit, e cila ka flakë tej talentet e qytetit, traditën e tij, vetë kuptimin që na thotë se në fund të fundit, skuadra është një gëzim i javës, një çlodhje e fundjavës, një zhvillim social, e qytetar, çka vjen edhe falë sportit më popullor që është futbolli. E nëse mbas gjithë këtyre mbërrijmë te Kupat e Europës, qoftë e mirëseardhur edhe kjo.

Dijeni mirë, rolin kryesor këtu nuk e ka thjesht presidenti financues i klubit, i cili është bërë një personazh më i rëndësishëm se trajneri. Natyrisht pa e ulë aspak rolin fort të rëndësishëm të tij. Por kjo kurrsesi nuk mund ta shndërrojë trajnerin e skuadrës në një personazh kaq të brishtë e të pasigurt.

Kampionatin e sezonit që shkoi Bylis i Ballshit e ndërroi trajnerin, e megjithatë zbriti nga Kategoria. Erzeni i Shijakut e ndërroi trajnerin, por megjithatë u rendit thjesht dy parafundit. Kastrioti i Krujës ndërroi tre trajnerë, por zbriti nga Kategoria. KF Kukësi ndërroi tre trajnerë, por mezi shpëtoi nga ndeshja e përjashtimit. Këto sa për të marrë ndonjë shembull, që na tregon se jo përherë ndërrimet asisoj të trajnerëve, krijojnë siguri.

Mos e cenoni figurën e trajnerit. Mbrojeni! Sigurisht e shkruaj këtë edhe duke iu kujtuar se askush nuk mund të na thotë, se cili është, në gjithë këto vite, trajneri i sprovuar apo autoritar i skuadrave të Elbasanit, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës, Kavajës, Fierit, Lushnjës… Janë qytete të skuadrave ndër më të shquarat e historisë së futbollit tonë kombëtar, për fat “të zhdukura”, prej kampionatit kombëtar të Republikës së Shqipërisë. Kjo edhe për shkak të mpakjes së besueshmërisë, vazhdimësisë, formimit dhe traditës së trajnerëve, dikur profesionistë të shquar edhe të skuadrave të këtyre qyteteve tejet futbollistike të Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"