Morina prezantohet te Skënderbeu. Ademir Soza rinovon, ikën Radas ose Gvozdenoviç

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 11, 2013 | 13:05

Morina prezantohet te Skënderbeu. Ademir Soza rinovon, ikën Radas ose Gvozdenoviç

MorinaMario Morina është prezantuar dje te Skënderbeu, edhe pse nuk e ka zgjidhur ende kontratën me klubin e Tiranës. Sulmuesi ka zhvilluar stërvitjen e parë me kampionët në fuqi dhe tashmë është në pritje të zyrtarizimit të transferimit, në një kohë që ka paditur Tiranën në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF. Morina ka pozuar dje me fanellën e Skënderbeut, si dhe ka dhënë përshtypjet e para për “Panorama Sport”. Lojtari 20- vjeçar premton se do të japë gjithçka në Korçë. “Është dita ime e parë me Skënderbeun dhe jam befasuar nga ngrohtësia e ekipit kampion. Shokët e ekipit i njihja në pjesën më të madhe të tyre dhe mund të them se kam kaluar mirë në këto momente të para. Jam i vetëdijshëm që vij në një ekip si Skënderbeu, që kërkon maksimumin nga çdo futbollist. Unë premtoj se do të jap më të mirën e mundshme”, – ka thënë fillimisht Morina. Ndërkohë, i pyetur për problemin e zgjidhjes së kontratës me Tiranën, ai sqaroi: “Ende nuk ka diçka zyrtare për momentin që mund të më quajë përfundimisht lojtar të Skënderbeut, por më duhet të them se shumë shpejt do ta zgjidh kontratën me Tiranën. Erdha pikërisht sot (dje) në Korçë për të parë situatën në ekip dhe për të njohur më nga afër grupin. Në ditët në vijim nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të firmos kontratën e re me Skënderbeun”. Në prezantimin e tij si lojtar i Skënderbeut, sulmuesi mbante të veshur fanellën me numrin 9, që në sezonin e kaluar ishte e Sebino Plakut, tashmë të larguar nga bardhekuqtë. “E di që do të jenë sfida mjaft të mëdha, pasi ekipi kërkon ta fitojë sërish titullin dhe të bëjë një paraqitje të mirë në Champions. Do ta ndihmoj skuadrën t’i përmbushë këto objektiva”, – përfundoi sulmuesi tiranas.

Sulmuesi do të rikthehet sot në kryeqytet
Sulmuesi Mario Morina do të rikthehet sot në Tiranë, për shkak të disa angazhimeve personale që ka në universitetin që studion. Ai do të jetë sërish në stërvitje me Skënderbeun në fundjavë, ndërkohë që tashmë pret edhe zgjidhjen e kontratës me Tiranën. 20-vjeçari ka dërguar në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF një kërkesë, e cila ende nuk dihet se kur do të shqyrtohet. Mirëpo, nga sa mësohet, drejtuesit e Skënderbeut po bëjnë përpjekje që ta zgjidhin çështjen e Morinës me konsensus. Pritet që sot presidenti Takaj të takohet me drejtuesit e Tiranës, të cilët ende nuk kanë dhënë OK-in për ta lënë të lirë lojtarin.

souzaSoza rinovon me korçarët, ikën Radas ose Gvozdenoviç
Mbyllet me sukses telenovela “Ademir Soza”. Mbrojtësi brazilian ka arritur marrëveshjen me Skënderbeun dhe do të jetë pjesë e tij edhe për një sezon. Akordi është zyrtarizuar mes palëve të hënën në mbrëmje, ndërkohë që vetë futbollisti e ka konfirmuar dje për “Panorama Sport”. Soza do të jetë sot në Korçë për t’iu bashkuar ekipit, jo vetëm për Champions-in, por edhe për sezonin e ardhshëm. “Më në fund arrita të jem sërish pjesë e Skënderbeut. Pas konsultimit me menaxherin tim, Mario Cenolli, kemi rënë dakord me presidentin Takaj që bashkëpunimi ynë të zgjasë edhe për një sezon tjetër. Jam shumë i lumtur që gjithçka mbaroi me sukses dhe mbi të gjitha që do të debutoj në Ligën e Kampioneve. Nesër (sot) do të nisem drejt Shqipërisë për t’u bashkuar me ekipin në Korçë”, – deklaroi dje Ademir Soza. Rinovimi i tij mund të quhet një goditje e mirë e Skënderbeut, që tashmë ka blinduar krahun e djathtë të mbrojtjes. Në bazë të marrëveshjes paraprake të arritur ndërmjet presidentit Takaj, menaxherit Cenolli dhe vetë futbollistit, mbrojtësi do të përfitojë 3 mijë euro në muaj, pra një mijë më shumë se sezoni i kaluar. Ndërkohë, pas rinovimit të brazilianit, mësohet se drejtuesit kanë gati skarcime, të cilat pritet të zyrtarizohen pas ndeshjeve të Ligës së Kampioneve. Burime pranë klubit bëjnë të ditur për gazetën se është e sigurt që një mes Marko Radasit dhe Ivan Gvozdenoviçit do të largohet nga Skënderbeu. Ka shumë mundësi që të mos jetë pjesë e skuadrës serbi Gvozdenoviç. Gjithsesi, mendohet se klubi mund t’i ofrojë mbrojtësit postin e zëvendëstrajnerit në staf.
LLAZI SARO





www.minuta90.com