Mjek “borxh” dhe analizë në Berat, njihuni me pikantet e Tomori-Bylis
“Panorama Sport” ju sjell momentet më pikante nga takimi Tomori-Bylis.
– Përpara startit të takimit, zyrtarët e ndeshjes i kanë kërkuar klubit beratas që në protokollin të përfshinin një mjek. Prezenca vetëm e ndihmësmjekut dhe fizioterapistit nuk garantonte kushtet për sigurinë shëndetësore të skuadrave në fushën e lojës. Përfundimisht, gjithçka është zgjidhur, me ardhjen e mjekut të përgjithshëm, specialist i ardhur nga Spitali Rajonal i Beratit.
– Pas përfundimit të takimit, kanë tërhequr vëmendjen dy detaje për secilën skuadër. Febron Ziu ka zhvilluar një analizë të shkurtër me futbollistët e tij, të cilët i ka marrë nga dhomat e zhveshjes dhe i ka çuar në fushën e lojës. Ndërsa te Bylisi, kryen një seancë të shkurtër stërvitore me futbollistët që luajtën pak ose fare.
– Pas shënimit të golit të dytë nga ana e Bylisit, një pjesë e tifozërisë beratase është larguar nga stadiumi.
– Në momentin e zëvendësimit taktik të sulmuesit Serxhio Eminit në të 86-ën minutë, të pranishmit në stadium kanë përcjellë me duartrokitje të nxehta ish-sulmuesin e tyre. Deri një sezon më parë, luante në Berat dhe tifozët kanë ruajtur kujtime të mira prej tij. Sulmuesi ka kthyer përshëndetjen mes emocioneve, ndërsa në momentin e shënimit të golit të dytë, u mundua që të frenonte edhe entuziazmin.
– Të pranishëm në stadiumin “Tomori” kanë qenë gati 1500 tifozë, ndërsa afro 50 kishin udhëtuar nga qyteti i Ballshit.
PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"