Miqësore/ Besëlidhja thyen Burrelin. Trajneri i skuadrës matjane, Hima: Jam i zhgënjyer

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2024 | 17:05

Miqësore/ Besëlidhja thyen Burrelin. Trajneri i skuadrës matjane, Hima: Jam i zhgënjyer

Besëlidhja mund Burrelin. Miqësorja e luajtur dje ka folur për skuadrën e drejtuar nga Dritan Smajli. Lezhjanët, edhe pse luajnë një ligë më poshtë se matjanët, treguan cilësi. Loja nisi me ritëm dhe raste. Por, shënjestra mungonte. Duhet të vinte e 35- ta minutë, që shifrat të zhbllokoheshin. Arli Përgjoni shfrytëzon një pakujdesi të mbrojtjes mike dhe e dërgon topin në rrjetë, nga zona e 5-metërshit.

HIMA BURRELI

Miqtë edhe pse i kishin të gjitha mundësitë që të barazonin, nuk ia dolën dot dhe kjo pjesë u mbyll 1-0. Pjesa e dytë nis e shpejtë dhe që në fillimit të saj trajnerët respektiv fillojnë lëvizjet nga stoli, duke provuar thuajse të gjithë lojtarët që kishin në dispozicion. Sidoqoftë, kjo nuk ndryshoi asgjë as në lojë e as në rezultat. Besëlidhja vazhdon ta dominojë, por pa mundur të shënojë tjetër gol deri në përfundim të ndeshjes. Ndërsa skuadra e Burrelit ishte thuajse hija e vetvetes, duke zhgënjyer edhe trajnerin.

HIMA – Klevis Hima “shfryu” edhe pas humbjes. Tekniku priste gjë tjetër nga miqësore, e treta për këtë minifazë. Nuk e fsheh zhgënjimin, as në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”: “Jam i zhgënjyer nga paraqitja jo e mirë thuajse e të gjithë lojtarëve që aktivizova. Ata nuk iu përgjigjën ritmit të lojës që unë kërkova dhe që u kam dhënë ngarkesë gjatë ditëve të stërvitjes.

Këta lojtarë cilët do qofshin, vendas apo të ardhur, të rinj apo me eksperiencë, duhet të kuptojnë se pa vrapuar dhe iu përgjigjur lojës që kërkoj unë dhe që duhet të bëjnë, si dhe ngarkesës që atyre u kërkohet të marrin, ta harrojnë formacionin. Atë do ta fitojnë vetëm ata lojtarë që djersijnë dhe japin rendimentin e duhur, justifikojnë fanellën që kanë veshur, e që peshon rëndë”.

Smajli: Prisja pak më shumë

Dritan Smajli nuk e kënaq aq fitorja. Trajneri kishte të tjera pritshmëri dhe ato i rrëfen pas ndeshjes për gazetën: “Prisja më shumë nga skuadra. Ndoshta ndikuan temperaturat e ulëta, por edhe 2-3 mungesa. Pavarësisht kësaj, e vlerësoj pozitive lojën e skuadrës, por duhet thënë se akoma ekipi nuk e ka marrë ngarkesën e duhur. Është ndeshja e tretë miqësore dhe rëndësi kanë patjetër, pasi kemi mundësi që të testojmë lojtarë dhe bëjnë prova në fushë”.

BUR

PRENG GJIKOLA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"