Mesfushori nuk e dramatizon barazimin me Besën. Hebeja: Penallti humb kushdo, Apolonia ka shanse për ngjitjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2023 | 15:43

Mesfushori nuk e dramatizon barazimin me Besën. Hebeja: Penallti humb kushdo, Apolonia ka shanse për ngjitjen

Rubin Hebeja “qan” finalizimin, por nuk e bën dramë barazimin me Besën. Apolonia nuk mori më shumë se një pikë, në një ndeshje ku mundësitë i kishte për më shumë. Më shumë se penalltia e gabuar nga Ersildjo Asllanaj, për mesfushorin rëndojnë rastet e shpërdoruara. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 22-vjeçari tregon se çfarë nuk shkoi si duhet në Luz.

HEBEJA RUBIN

I mjaftueshëm ai barazim me Besën, apo ka vend për zhgënjim?

Patjetër që ka vend për zhgënjim duke marrë parasysh lojën që bëmë dhe rastet që patëm. Me aq shumë mundësi, është e dhimbshme të mos fitosh. Të vjen edhe keq në fakt, e sidomos për një ekip si Apolonia që hyn në fushë vetëm për të marrë maksimumin e pikëve.

Jo vetëm shpërdoruat, por edhe u gabua ajo penallti. Pse kaq vuajtje për golin?

Janë gjëra që ndodhin në futboll, kushdo mund ta humbasë një penallti. Asllanaj është ekzekutues shumë i mirë, gjë e ka treguar me Tomorin, Vorën apo Lushnjën. Këtë herë nuk e deshi fati. Gjithsesi, është një pikë që vlen dhe le të shohim vazhdimësinë, i bindur që do të bëjmë edhe më mirë, edhe më shumë.

Me barazimet e fundit, keni zbritur në vendin e 4- t. A mbetet i arritshëm objektivi madhor?

Të them të drejtën mbetet më se i arritshëm. Dy barazime nuk janë dramë dhe sidomos kur loja jonë është e nivelit të lartë dhe kjo ka shumë rëndësi në fakt. Unë jam i bindur që ekipi ka forcën, por edhe shpirtin e garës për t’u paraqitur sa më mirë të jetë e mundur.

Ka shanse Apolonia që të jetë në dyshen e parë?

Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të japim maksimumin duke mos menduar gjatë, por thjesht dhe vetëm te ndeshja e radhës. Fakti që luajmë mirë, na jep shpresa që e ardhmja do të jetë pozitive. Ne besojmë te forca e grupit.

Pas kampionatit është radha e Kupës së Shqipërisë. Nesër prisni Luzin në Fier. Çfarë synimesh keni në këtë kompeticion?

Kupa është një kompeticion tjetër i rëndësishëm, të cilin Apolonia e vlerëson po aq sa kampionati. Plusi ynë i madh është që skuadra ka kontingjent të plotë lojtarësh për të përballuar denjësisht dy kompeticione të ndryshme. Duam të shkojmë sa më larg në Kupë. Mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Çdo ndeshje këtë vit do të jetë shumë e rëndësishme për ne.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"