Mesfushori kroat pranë firmës me Vllazninë, një mbrojtës mund të largohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2024 | 9:12

Mesfushori kroat pranë firmës me Vllazninë, një mbrojtës mund të largohet

Vllaznia është pranë afrimit të parë për sezonin e ardhshëm. Bëhet fjalë për një lojtar të njohur në Superiore, si mesfushori Amir Kahrimanoviç.

kahrimanovic

Kroati ka mbyllur sezonin me Erzenin dhe është lojtar i lirë, ndaj dhe drejtuesit e Vllaznisë janë hedhur në sulm për ta veshur kuqeblu. Futbollisti 25-vjeçar ka spikatur me fanellën e Erzenit dhe tani duket pranë firmës me Vllazninë. Nëse një gjë e tillë realizohet, do të ishte blerja e parë e shkodranëve, të cilët do të gjenin një numër “10” që shumë të dëshiruar. Kahrimanoviç edhe verën e kaluar ka qenë pranë Vllaznisë, ka pasur kontakte me drejtuesit kuqeblu, por pastaj u kthye në Shijak, sepse drejtuesit e Erzenit nuk e lejuan të largohej.

Kjo skuadër tashmë ka rënë nga Superiorja, kontrata e mesfushorit përfundon në fund të këtij muaji dhe duket se nuk ka asnjë pengesë për të firmosur me kuqeblutë. Vllaznia ka një ofertë zyrtare për Alivodën nga Sllavia e Pragës dhe me afrimin e mundshëm të kroatit do të plotësonte mesfushën. Fakti që Kahrimanoviç e njeh mirë futbollin shqiptar i bën drejtuesit kuqeblu të insistojnë për të firmosur me të.

TË TJERË – Në fokusin e Vllaznisë janë edhe disa lojtarë të tjerë, përveç Kahrimanoviç. Dy ish-futbollistë të Dinamos, mbrojtësi i djathtë Albion Marku dhe qendërmbrojtësi Zhoselin Behiratçe, pëlqehen nga kuqeblutë, por ende nuk mund të flitet për një afrim të mundshëm të tyre. Janë të dy lojtarë me eksperiencë, që do t’u bënin punë shkodranëve. Por ka edhe rivalitet me klubet e tjera, duke qenë se bëhet fjalë për lojtarë pa kontratë.

SMAJLI – Mbrojtësi i djathtë, Geralb Smajli, mund të largohet nga Vllaznia. Gazeta mëson se lojtari ka oferta nga klube të tjera të Superiores, por edhe nga jashtë Shqipërisë, ndaj dhe qëndrimi i tij te Vllaznia është në pikëpyetje. Futbollistit 22-vjeçar i përfundon kontrata me skuadrën shkodrane dhe mund të jetë një “okazion” për klubet e tjera. Nëse Smajli largohet, Vllaznia humb një titullar të rëndësishëm. Në fund kontrate, përveç mbrojtësit të djathtë janë edhe Hakaj, Mala dhe Boshnjaku. Me asnjërin prej tyre klubi nuk ka rinovuar deri tani, siç ka bërë me Juriç dhe Stojanoviç.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"