Mesfushori i Teutës karikon shokët e skuadrës : Kemi gabuar shumë, vetëm fitore me shkodranët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2024 | 15:27

Mesfushori i Teutës karikon shokët e skuadrës : Kemi gabuar shumë, vetëm fitore me shkodranët

Ajo fitore 0-1 me Skënderbeun javën e fundit e ka ngrohur shumë atmosferën te Teuta, që tani e ka kthyer gjithë vëmendjen te sfida e radhës me Vllazninë.Beqja

Mesfushori Ledio Beqja, në një intervistë për “Panorama Sport” shprehet se skuadra ka rifituar qetësinë, por thekson gjithashtu se të gjitha ndeshjet duhet të vlerësohen drejt për të mos bërë hapa falsë. Ai e ka të qartë se kundër Vllaznisë do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por Teuta duhet të dalë me fitore nga stadiumi “Niko Dovana”.

Ledio, si do ta komentonit atë fitore tepër të rëndësishme në Korçë?

Më pëlqeu mënyra e lojës, dominimi me rastet e krijuara. Pjesa e parë ishte shumë stresuese, për shkak se patëm gjithë ato raste që i humbëm, por arritëm të shënonim golin që na dha tri pikët. Skuadra luajti mirë, megjithatë duhet të kemi kujdes. Kundërshtari na vjen një herë apo dy herë te porta dhe na rrezikon, këtu duhet të përmirësohemi. Besoj se Teuta do të shprehet mirë në këto ndeshje të mbetura.

Vllaznia është kundërshtari i radhës. Çfarë Teute mund të presim në këtë sfidë?

Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, për vetë pozitat e ekipeve në klasifikim. Vllaznia kërkon të rikuperojnë pikët që ka lënë në ndeshjet e fundit, ndërsa ne do të hyjmë në fushë për të bërë atë që kemi bërë deri tani. Kërkojmë maksimumin që të ngjitemi sa më lart në renditje.

Si e parashikoni rezultatin, a do të kënaqeshit me një barazim në këtë ndeshje?

Vërtet është ndeshje e vështirë, Vllaznia ka një ekip me kualitete. Gjithsesi, ne jemi mjaft të përqendruar dhe duke dhënë maksimumin në fushë, jam i bindur se Teuta do të vijojë me rezultat pozitiv. Çdo ndeshje është histori më vete, prandaj dhe futbolli është i bukur. Fitorja është thelbësore gjithmonë dhe do ta kërkojmë me të gjitha mundësitë tona. Përballë një ekipi pretendent për titullin kampion do të bëjmë më të mirën për të fituar.

Gara sa vjen dhe ashpërsohet, ndërsa Teuta për momentin është në zonën e “play-out”-it…

Ka akoma ndeshje dhe kundërshtarët janë seriozë të gjithë. Kemi edhe duelet me rivalët direkt, por më gëzon fakti se forma jonë është në rritje, kjo është e rëndësishme. Kemi gabuar shumë, por me kualitetin që kemi do t’ia dalim. Në disa situata na ka munguar edhe fati, që futbolli ndonjëherë ta merr dhe pastaj ta kthen. Ndeshjet e mbetura i shohim si finale, pasi lufta për mbijetesë është shumë e ashpër. Duhet të jemi gjithmonë me “këmbë në tokë”.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"