Mes rënies dhe “play off”-it, Apolonia do kthesën në Cërrik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2023 | 14:20

Mes rënies dhe “play off”-it, Apolonia do kthesën në Cërrik

Barazimi i fundit i marrë përballë Korabit nuk i dha mundësinë Apolonisë t’u largohej vendeve të fundit të renditjes dhe kështu fierakët e shohin sërish veten në një pozicion që e rrezikon seriozisht mbijetesën në këtë kategori.

beselidhja apolonia

Ekipi ndodhet ende në pozita të vështira, më saktë në vendin e 9-të dhe në kuotën e 17-të pikëve pas 14 javëve. Gjithsesi, duke parë kundërshtarin që kishin përballë, fierakët nuk kanë dashur ta bëjnë dramë, ndonëse edhe pika e marrë me Korabin, në situatën ku ndodheshin, ka vlerë.

Kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u luajtur në muajin shkurt, përballje të rëndësishme që mund të vendosin shumë edhe për ecurinë e skuadrës në këtë sezon.

Fillimisht Apolonia do të luajë në transfertë ditën e diel me skuadrën e Turbinës, e cila vjen nga një formë jo e mirë, duke u pozicionuar në vendin e fundit.

Një fakt që në Fier shpresojnë ta shfrytëzojnë në favorin e tyre, për më tepër që bëhet fjalë për një duel direkt mbijetese, edhe pse të dyja skuadrat në fillim kishin objektiva krejtësisht ndryshe.

Më pas, fierakët kanë një tjetër ndeshje, ku do të jenë pritës në Fier përballë Besës, me skuadrat që nuk kanë shumë diferenca në kualitete dhe janë vetëm tri pikë larg njëra-tjetrës.

Dy përballje direkt që mund të vendosin jo pak, qoftë për mbijetesën apo dhe për arritjen e zonës “play off”. Në fund të këtij muaji kanë një tjetër ndeshje të vështirë në letër, siç është ajo ndaj Lushnjës.

Mirëpo, verdhejeshilët po kalojnë gjithashtu një krizë rezultatesh dhe nuk është më ajo skuadra e viteve të kaluara, ku ishte tejet e vështirë për t’i marrë pikë. Edhe këtë përballje, Apolonia do ta luajë në transfertë, aty ku nuk e kanë më tabu marrjen e një fitoreje apo barazimi, siç ndodhte sezonin e kaluar.

Me pak fjalë, në muajin shkurt janë nëntë pikë në lojë dhe në Fier mendojnë se i kanë të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin, duke iu larguar kështu njëherë e përgjithmonë zonës së ftohtë.

Kjo e fundit, si rrallë herë ka një ngjeshje të frikshme të skuadrave, ku asnjëra prej tyre nuk e ka të sigurt qëndrimin në Kategorinë e Parë dhe aq më pak arritjen e objektivit sezonal, i cili mund ta afrojë më shumë se kurrë me “Abissnet Superiore”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"