Merr fund vuajtja me fushën, trajneri i Orikut: Me mision në Lezhë ndaj Besëlidhjes!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2022 | 11:22

Merr fund vuajtja me fushën, trajneri i Orikut: Me mision në Lezhë ndaj Besëlidhjes!

Shtëpia e Orikut është më në fund gati. Pas disa muajve si “jabanxhinj”, skuadra ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në fushën e re. Trajneri Arlind Rustemi është i lumtur për këtë rikthim dhe e pohon teksa flet për “Panorama Sport”:

Oriku fusha

“Dua të falënderoj presidentin për këtë ambient të mrekullueshëm në bashkëpunim me FSHF-në dhe Bashkinë e Vlorës.

Do ta shfrytëzojmë maksimalisht si nga skuadra e parë ashtu edhe nga akademia për të zhvilluar seancat stërvitore, sepse është shumë e rëndësishme që një skuadër të ketë fushën e vetë për t’u trajnuar.

Ne kemi vuajtur jo pak në këtë drejtim duke bërë stërvitje disa herë në Fier e disa të tjera në Ballsh me orare jo të plota. Megjithatë, më në fund erdhi dita që edhe ne të stërvitemi në fushën tonë dhe besoj se kjo do të ndikojë edhe te rezultatet dhe mbarëvajtja e seancave stërvitore”.

Numri një i pankinës ndalet edhe te ndeshja e kësaj jave, e cila i çon në transfertë. Do të ndeshen me Besëlidhjen, por tekniku beson te pikët.

“Çdo ndeshje jashtë në transfertë është e vështirë për vetë mënyrën e lojës që zhvillojnë kundërshtarët në fushën e vet. Sigurisht që ne jemi përgatitur për të marrë maksimumin.

Vijmë nga një ndeshje në Kupë, relativisht e mirë, pavarësisht se objektivi ynë nuk ishte ky kompeticion. Do të udhëtojmë drejt Lezhës për të marrë maksimumin e pikëve. Jo vetëm këtu, por edhe në çdo fushë tjetër ne shkojmë për të marrë fitoren”, përfundon Rustemi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"