Merkatoja e dimrit/ Demi lë futbollin, një brazilian vjen tek Besëlidhja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2023 | 16:01

Merkatoja e dimrit/ Demi lë futbollin, një brazilian vjen tek Besëlidhja

Nis merkatoja në Lezhë. E premtja ka ofruar lëvizjet e para për Besëlidhjen, në hyrje dhe dalje. Nën urdhrat e stafit teknik janë vënë dy lojtarë, që vijnë nga Kategoria e Parë. I pari është brazilian, Alesandro de Jesus Olivera, dhe luan si mesfushor qendre.

Collage Maker-08-Jan-2023-04.01-PM

25-vjeçari i lindur në Sao Paolo, nuk vjen direkt nga vendi i “sambës”. Ai pjesën e parë të sezonit është aktivizuar te Shkumbini, ndaj përshtatjen nuk do ta ketë të vështirë. I dyti quhet Kujtim Alcani dhe vjen pas eksperiencës te Veleçiku. Luan si mbrojtës dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje. Me shumë gjasë ata do të vëzhgohen për pak ditë dhe më pas do të flitet për kontratë. Një shans i mirë për ta do të jetë në fakt miqësorja e sotme, që do ta luajnë prej orës 12:00 me Erzenin në stadiumin “Besëlidhja”.

PORTIERI – Klubi duhet të futet në merkato edhe për portier. Zyrtarisht është larguar Elson Demi. I aktivizuar në 11 javë kampionat, gardiani ka vendosur që ta mbyllë këtu me futbollin. I kthyer vetëm në nisje të këtij sezoni në Lezhë, 32-vjeçari ka menduar që të “varë këpucët në gozhdë”. Tashmë stafi teknik ka në dispozicion vetëm Englis Kodrën, ndaj drejtuesit po bëjnë çmos që të gjejnë një tjetër mbrojtës ekstrem.

TRAJNERI – Nikolin Çoçlli i vlerëson pozitivisht ditët e para të fazës, e megjithatë mendjen e ka te merkatoja. Për “Panorama Sport”, trajneri thotë: “Ka tri ditë që kemi nisur minifazën. Për të parë gjendjen e ekipit, nesër (sot) kemi planifikuar një miqësore me Erzenin në stadiumin tonë. E nisim me kundërshtar nga elita, pasi dua ta testoj grupin në kushte të vështira. Do të shoh me vëmendje të ardhurit dhe të rinjtë. Presim edhe 2-3 futbollistë të tjerë, që shpresoj se do të na vijnë shumë shpejt. Ashtu siç e kam theksuar edhe më parë, pjesë e Besëlidhjes do të bëhen vetëm ata që do të bindin. Dua të ndërtoj dy skuadra paralelisht, për të rritur konkurrencën. Pozicioni që mbajmë në tabelë na detyron që të punojmë fort dhe me mend në kokë gjatë kësaj minifaze për të kapur kohën e humbur”.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"