Merkato në elitë, AF Elbasani “eliminon” ata në kontratë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2023 | 22:46

Merkato në elitë, AF Elbasani “eliminon” ata në kontratë

Elbasani do të hyjë me synime të qarta këtë sezon në Kategorinë e Parë. Ngjitja është objektivi i vetëm. Pas zyrtarizimit të Nevil Dedes në krye të pankinës, te verdheblutë do të ketë zhvillime të mëdha. Me interes priten konfirmimet e para sa u përket futbollistëve që do të qëndrojnë dhe atyre që do të afrohen.

AF Elbasani

Deri më tani klubi nuk ka bërë asnjë zyrtarizim në hyrje apo dalje, pavarësisht emrave që kanë nisur të lakohen kohët e fundit dhe bisedimet konkrete që kanë pasur me disa futbollistë. Megjithatë, ky fakt nuk shihet si shumë shqetësues, pasi koha në dispozicion është e madhe, ndërsa u duhet që paraprakisht të bëjnë edhe një seleksionim të lojtarëve, të cilët do të hyjnë në bisedime konkrete, sepse lista e futbollistëve është e gjatë dhe nuk duan të bëjnë ndonjë lëvizje të pastudiuar mirë.

Sakaq, tregu kryesor i merkatos është elita, por edhe aty duke u përpjekur të eliminojnë sa të munden lojtarët që për momentin janë nën kontrata me klubet e tyre respektive. Burimet në klub pohojnë, se bisedimet me një lojtar të parapëlqyer janë ndërprerë në momentin që është mësuar se bëhet fjalë për një futbollist nën kontratë.

Verdheblutë dëshirojnë të jenë “fair” karshi ekipeve të tjera. Sakaq, klubi ende nuk e ka plotësuar organikën, sepse mbetet për t’u zgjedhur edhe ndihmësi i Nevil Dedes në pankinë, një situatë që pritet të marrë fund brenda kësaj jave. Në kahun tjetër, nuk ka ende asnjë datë zyrtare edhe për nisjen e përgatitjeve për aq kohë sa nuk është caktuar kur do të nisë kampionati. Gjithsesi, të gjitha mundësitë për nisjen e përgatitjeve janë në muajin korrik.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"