Merkato e çmendur, këtë verë do të flitet vetëm për ndryshimet e trajnerëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 19:55

Merkato e çmendur, këtë verë do të flitet vetëm për ndryshimet e trajnerëve

Nuk do të jetë një merkato vetëm me lëvizje yjesh këtë verë në Europë. Me të paktën tre prej trajnerëve më të mirë të disponueshëm në verë, kjo mund të jetë merkatoja më e çmendur e trajnerëve në historinë e viteve të fundit, me një sërë gjigantësh europianë që do të ndryshojnë trajnerët në fund të sezonit:

sdfdsfdsdfdfsd

LIVERPULI – Njoftimi në janar i Jyrgen Klopit se ai do të largohet nga “Anfield” në fund të sezonit pas 9 vitesh, edhe pse ka një kontratë deri në vitin 2026, tronditi futbollin. Ksabi Alonso, i cili po bën mrekulli me Leverkusenin këtë sezon, për të siguruar suksesin e parë të “aspirinave” në Bundesligë, është kandidati i preferuar për ta zëvendësuar. Spanjolli, me një të shkuar si mesfushor në Liverpul, kërkohet gjithashtu nga Bajerni i Mynihut, por edhe nga klube të tjera në Angli dhe Spanjë.

Një tjetër pretendent është edhe Julian Nagelsman, ish-trajneri i Bajernit, kontrata afatshkurtër e të cilit me kombëtaren e Gjermanisë skadon pas “Euro 2024” dhe ai është një pretendent i drejtpërdrejtë. Po kështu është edhe Roberto de Zerbi i Brajtonit. Madje është përfolur edhe për tifozin e Liverpulit, Ange Postekoglu – por nuk ka gjasa që australiani do të dëshironte me të vërtetë të largohej nga Totenhemi pas 12 muajsh dhe akoma më e pamundur që presidenti Daniel Levi ta pranojë këtë.

BARCELONA – Kur edhe një legjendë e klubit si Ksavi Hernandez mendon se duhet të largohet nga shtëpia e tij, sepse nuk mund ta durojë më presionin e stolit të “Camp Nou”-t, kandidatët potencialë për ta zëvendësuar duhet të pyesin veten nëse Barça është zgjedhja e duhur. Kushdo që do të hyjë në atë stadium do të duhet të përballet me një krizë parash që ende mund të shohë gjigantët katalanas të përjashtuar nga Liga e Kampioneve sezonin e ardhshëm – UEFA ende po refuzon të lejojë Barçën të llogarisë shitjet e të ardhurave të ardhshme të mediave në bilancet e tyre të “fair-play”-t financiar.

Mikel Arteta mohoi kategorikisht sugjerimet se ai ishte gati të largohej nga Arsenali për t’u kthyer në atdheun e tij. Por nëse ai fiton me “topçinjtë” këtë sezon, mund të vendosë të provojë një aventurë të re. Megjithatë, Barça do të shikojë gjithashtu Alonson dhe De Zerbin, si dhe ish-trajnerin e Bajernit dhe Gjermanisë, Hansi Flik. Dhe ka të paktën një, potencialisht dy, menaxherë fitues të Ligës së Kampioneve, të cilët mund ta pëlqejnë sfidën…

BAJERNI I MYNIHUT – Një tjetër vend vakant për t’u zënë është ai pas konfirmimit se Tomas Tuhel do të largohet në verë pas një ecurie të dobët në stolin e Bajernit. Kampionët renditen tetë pikë pas Leverkusenit në kampionat dhe janë mundur 1-0 nga Lacio në ndeshjen e tyre të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve, gjë që mjaftoi për gjigantët gjermanë për të vepruar. Nagelsman, i cili u largua kundër vullnetit të tij në mandatin e fundit, mund të jetë një kandidat i mundshëm provizor, por nuk mund ta imagjinoni se Bajerni nuk do të përpiqet ta bindë Klopin të kthehet në Gjermani, pavarësisht këmbënguljes së tij se i duhet një vit pushim. Ole Gunar Solskjaer është një emër gjithashtu i diskutuar.

Por objektivi numër 1 i bavarezëve është ai që mund t’u rrëmbejë titullin këtë sezon, Ksabi Alonso. Tuhel ku do të shkonte? Ai do të ishte pretendent për stolin e Liverpulit, por ndoshta edhe për Barcelonën. Së fundmi është folur se edhe Antonio Konte do të ishte i hapur për këtë mundësi, pavarësisht se flitet për një rikthim të tij në Itali, në stolin e Milanit këtë herë.

MAN. JUNAJTID – Ringjallja pas Krishtlindjes ka hequr një pjesë të presionit nga Erik ten Hag dhe ka një shans që holandezi të mund të bindë pronarët e rinj të Junajtidit se ai është njeriu i duhur për të qëndruar më gjatë në “Old Trafford”. Por Junajtid duhet të luajë ende me Sitin, Liverpulin dhe Arsenalin përpara fundit të sezonit dhe ato ndeshje mund të tregojnë forcën e vërtetë të formacionit aktual. Nëse Ten Hag nuk ia del, atëherë Tuhel mund të jetë një zgjidhje afatshkurtër. Por nëse ideja është për një menaxher afatgjatë “projekti”, atëherë mendimet do të drejtoheshin te Nagelsman, De Zerbi, apo edhe Graham Poter.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"