“Mendja na rri te “play off”-i, më ka bindur loja”, Liçaj: Flamurtari “top”, tregojmë sa vlejmë me Elbasanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2024 | 14:55

“Mendja na rri te “play off”-i, më ka bindur loja”, Liçaj: Flamurtari “top”, tregojmë sa vlejmë me Elbasanin

Edmond Liçaj ka mbetur i kënaqur nga Flamurtari në Vorë. Ish-trajneri i njohur vlonjat, që aktualisht është krahu i djathtë i Eqerem Memushit, gjatë një bisede për “Panorama Sport” thotë se skuadra ka ndryshuar. Paraqitja me Vorën e bën optimist për vazhdimësinë.

EDMOND LICAJ EQEREM MEMUSHI

“Skuadra ka ndryshuar. Stafi teknik me në krye trajnerin Eqerem Memushi kanë bërë një punë shumë të mirë. Flamurtari luajti bukur kundër Vorës, që ishte për ne një kundërshtar direkt për “play off”-in. Skuadra u shfaq mjaft mirë në këtë ndeshje dhe bindi me lojë, por edhe me rezultat. E kishim vlerësuar një ndeshje shumë të vështirë për vetë kundërshtarin dhe fushën, por arritëm që të bënim më të mirën. Me atë fitore “blinduam” vendin e tretë. Kështu që kjo gjë na kënaq. Kjo ndeshje ishte një test shumë i mirë për vazhdimësinë që të përgatitemi për ndeshjen finale. Tani vështrimin e kemi te “play off””, shprehet fillimisht Liçaj.

“PLAY OFF”- Edmond Liçaj deklaron se Flamurtari është përqendruar tashmë te “play off”-i. I shikon takime të vështira, por jo të pamundura. Frikë ka vetëm nga dëmtimet, ndërsa mendon se me rikthimin e lojtarëve që mungojnë, ekipi do të jetë “top”. “Skuadra po punon për ndeshjen e “play off”-it. Çdo gjë që bëjmë në stërvitje, janë si një përgatitje e mirë për këto ndeshje. Kemi pasur edhe dëmtime të lojtarëve të rëndësishëm. Shpresoj që ata t’i kemi gati për të na ndihmuar për ndeshjet e ‘play off’-it.

Nëse këta do të kthehen dhe do të jenë në gjendje të mirë dhe nëse do të kemi një skuadër të plotë për ndeshjet në vijim, normalisht do të jemi shumë mirë. Që të jemi të ndërgjegjshëm, kundërshtarët janë të vështirë. Por, gjithsesi secili ka punën e vet dhe objektivat e tij. Ne duhet të shikojmë punën tonë. Fillimisht të punojmë për të nxjerrë mirë dhe si duhet ndeshjet e ‘play off’-it dhe më pas të mendojmë për takimin final me skuadrën e Superiores. Gjithsesi, ne jemi Flamurtari dhe nuk i druhemi asnjë skuadre. Këtë gjë duhet ta kuptojnë si kundërshtarët që kemi, por edhe futbollistët tanë”, thotë ish-trajneri vlonjat.

ELBASANI – Ndeshjen me Elbasanin që luhet në Vlorë në fund të javës, Edmond Liçaj e parashikon të bukur dhe të luftuar. Ka një apel për kuqezinjtë, teksa thotë se duhet të fitojnë për tifozët.“Ndeshja me Elbasanin që luhet në Vlorë do jetë një takim i bukur, por edhe i luftuar. Ne luajmë në fushë tonë kështu që fitorja është detyrim. Duhet të marrim maksimumin në këtë ndeshje dhe të tregojmë veten tonë, kush jemi dhe potencialet që kemi si skuadër. Të fitojnë për veten e tyre që të motivohen edhe më shumë, por edhe për tifozët që do të jenë në stadium. Me ekipe të tilla si Elbasani dhe Bylisi, ne do të tregojmë potencialin tonë të vërtetë dhe se sa vlejmë. Besoj se këto ndeshje do t’i nxjerrim mjaft mirë. Besojmë gjithashtu tek elementët dhe eksperienca që kemi në skuadër”, përfundon ish-trajneri i Flamurtarit Edmond Liçaj.

 

Katër sezone larg Superiores

Katër sezone bëhen që Flamurtari është larg Superiores. Për herë të fundit vlonjatët kanë milituar në elitën e futbollit në sezonin 2019-2020. Sezonin e kaluar e tentuan nëpërmjet “play off”-it, por nuk arritën që të realizonin një objektiv të tillë pasi u eliminuan nga Korabi. Mbetet për të parë nëse Flamurtari do t’ia dalë këtë sezon që të kthehet në elitë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"