“Më mirë t’i harrojnë pikët”, Noka “Junior” kërcënon Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 17, 2023 | 23:51

“Më mirë t’i harrojnë pikët”, Noka “Junior” kërcënon Skënderbeun

Besëlidhja kërkon mrekullinë. Edhe pse mbyllin renditjen dhe shanset për të shpëtuar sezonin janë minimizuar, nuk dorëzohen. Kur kanë mbetur edhe 21 pikë në lojë, do të tentojnë të marrin maksimumin për të shmangur të paktën rënien direkte.

Alcani Noka

Për këtë motiv, të shtunën në fushë do të zbresin me mision: të mundim Skënderbeun. Këtë edhe thotë edhe vetë presidenti Xhulio Noka për “Panorama Sport”. Ai e thotë hapur që korçarët nuk do të dalin “thatë” nga Lezha.

“Do të luftojmë vetëm për fitore dhe do të fitojmë. Me gjithë respektin, Skënderbeu t’i harrojë pikët në Lezhë. Ne luftojmë për mbijetesë, ndërsa ata për luks. Kaq mjafton që ne do të jemi më të motivuar. Duam kaq shumë ta shpëtojmë këtë sezon. Edhe pse jemi në fund të tabelës, Besëlidhja nuk është kjo që shihet në letra. Në fushë do të shihni një ekip ndryshe, më agresive. Do të tentojmë me të gjitha forcat që ta kalojmë këtë ndeshje.

Do të japim maksimumin në të gjitha aspektet, në fund të fundit nuk kemi çfarë humbim më. Kjo është beteja jonë finale për mbijetesën. Nga ky 90-minutësh varet fati ynë. Nëse marrim pikët, do të rikthehemi në jetë dhe që jam i bindur se kështu do të ndodhë. Ekipin do ta grumbullojmë që të premten që të qëndrojë i bashkuar për të qenë sa më solid ditën e ndeshjes. Nëse fitojmë të shtunën, e them me bindje që do ta shmangim rënien”, u shpreh Noka “Junior”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"