“Me Elbasanin e fortë”, Rodriges: Detajet do të bëjnë diferencën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2023 | 12:40

“Me Elbasanin e fortë”, Rodriges: Detajet do të bëjnë diferencën

Barazimi ndaj Besës është lënë pas krahëve në Fier dhe të gjithë janë të përqendruar maksimalisht te ndeshja e sotme me Elbasanin në transfertë. Grupi i lojtarëve fierakë ka qenë i plotë, njëkohësisht këta të fundit kanë qenë shumë të qetë psikologjikisht e tejet të motivuar për të bërë mirë në këtë ndeshje të rëndësishme. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i Apolonisë, Jeraj Rodriges, është i vetëdijshëm për vështirësinë e kësaj sfide, por pohon se skuadra duhet të vazhdojë me ecurinë pozitive. Elbasani është një kundërshtar serioz dhe rrjedhimisht kjo përballje është shumë e vështirë, por Apolonia di dhe do të bëjë më së miri lojën e saj.

rodriges

Apolonia ka marrë shtatë nga nëntë pikë të mundshme. A jeni brenda pritshmërive?

Kemi bërë një start shumë pozitiv, ndaj mund të them lirisht se jemi brenda pritshmërive tona. Çdo ndeshje ka qenë, është dhe do të jetë si një finale për ne dhe çdo pikë e marrë, me vuajtje apo pa vuajtje, është shumë e rëndësishme. Pikët bëjnë diferencën e madhe në tabelën e renditjes dhe ne kemi marrë thuajse maksimumin e tyre, me përjashtim të ndeshjes së fundit ndaj Besës.

Në ndeshjen e parë në shtëpi morët vetëm një pikë, ndryshe nga dy transfertat e para ku arkivuat plot gjashtë pikë. Për çfarë ju bëri mirë më së shumti barazimi ndaj Besës?

Futbolli është i paparashikueshëm dhe një ndeshje e fortë i ka të tria rezultatet brenda. Personalisht mendoj se kur nuk arrin dot fitoren, e rëndësishme është të shmangësh humbjen. Kështu bëmë edhe ne, arritëm me mjaft vështirësi të marrim vetëm një pikë dhe që na shërben më së shumti për anën psikologjike. Më saktë na rrit besimin dhe shton motivimin për ta kërkuar rezultatin pozitiv deri në sekondën e fundit. Ne bëmë mirë disa gjëra dhe disa të tjera nuk i bëmë mirë, kështu që na mbetet thjesht dhe vetëm të vazhdojmë linjën e punës së përditshme. Veçanërisht të përmirësojmë kontrollin dhe dominimin e zonave të ngushta e të gjera. Gjithmonë ka vend për përmirësim.

Takimi i radhës është me Elbasanin. Sa e vështirë është kjo transfertë për Apoloninë?

Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe njëkohësisht shumë e vështirë. Elbasani është një kundërshtar që për mua është serioz dhe që meriton vlerësim maksimal. E rëndësishme është që Apolonia të ketë vazhdimësi, pra skuadra të vazhdojë të punojë e të përmirësohet ndjeshëm në çdo ndeshje. Gjithashtu ta përjetojë me mish e shpirt.

Si vjen Apolonia në këtë ndeshje të rëndësishme?

Jemi të përqendruar dhe, mbi të gjitha, jemi gati. Në seancën e fundit do të shohim edhe detajet e vogla për të hedhur në fushë ekipin më të mirë të mundshëm. Gjatë këtyre ditëve, ne jemi stërvitur intensivisht dhe e kemi përgatitur me kujdes këtë ndeshje të rëndësishme. E dimë rëndësinë dhe vështirësinë e saj, por Apolonia di dhe do të bëjë më së miri lojën e saj.

Apolonia dhe Elbasani janë në kuotë të barabartë pikësh, pra shtatë të tilla. E vështirëson dhe njëkohësisht e bën më interesant takimin?

Sigurisht që po, për më tepër që kjo ligë është shumë konkurruese. Njëra ndeshje ndryshon nga tjetra, veçanërisht në specifikën e saj. Përballja me Elbasanin vendoset nga detajet, sado të vogla, sepse këto të fundit bëjnë diferencën në ndeshje të tilla. Ne duhet të besojmë dhe të jemi plotësisht të bindur që mentaliteti ynë është gjithmonë prej fituesi.

Në Elbasan do të shkoni vetëm për tri pikët?

Do të shkojmë në Elbasan për të konkurruar shumë mirë. Ne duhet të jemi shumë të përqendruar gjatë gjithë lojës dhe të kemi disiplinë të hekurt taktike, pra të jemi shumë intensivë dhe të dimë të luajmë me top dhe pa top. Secili prej lojtarëve e di shumë mirë se çfarë duhet të bëjë prandaj e rëndësishme është që së bashku të jemi shumë të fortë në sulm dhe mbrojtje.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"