“Me Elbasanin do të jetë ndeshje prestigji”, Batha: Rikthejmë lavdinë e Vlorës, Flamurtarin e vërtetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2024 | 20:54

“Me Elbasanin do të jetë ndeshje prestigji”, Batha: Rikthejmë lavdinë e Vlorës, Flamurtarin e vërtetë

Ndeshjet e “play off”-it i cilëson si finale dhe nuk i nënvlerëson aspak, por deri atëherë ka ende kohë. Idriz Batha, me rikthimin e tij, kërkon që t’i japë Vlorës lavdinë që i takon. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, mesfushori me eksperiencë, thotë se Flamurtari ka shanset e veta, pasi diferencat nuk janë aspak të mëdha.

batha

Me Elbasanin e parashikon si ndeshje prestigji, pasi luajnë dy ekipe me traditë dhe dëshiron që fitorja t’u takojë kuqezinjve. Për finalen e madhe të ngjitjes, për momentin nuk ka asnjë preferencë, pasi kërkon fillimisht që të kalohen me sukses dy finalet “e vogla”.

Batha, si po të duket ecuria e Flamurtarit?

Të jem i sinqertë, ecuria e skuadrës nuk është ajo që të gjithë dëshironim. Duhet të kishim bërë më mirë, sidomos në ndeshjet në shtëpi. Megjithatë, situata është premtuese dhe na jep optimizëm për të ardhmen. Skuadra po punon me seriozitet dhe të gjithë janë të angazhuar. Kemi shpresë se në vijim do të bëjmë paraqitje të mira dhe çdo ndeshje do t’i japim rëndësinë që i takon. Unë do të jap maksimumin tim.

Ndeshja e radhës me Elbasanin, çfarë prisni nga kjo sfidë?

Me Elbasanin është një ndeshje prestigji. Të dielën luajnë dy prej emrave që i kanë dhënë shumë futbollit shqiptar. Shpresoj që të zhvillohet një ndeshje e bukur. Do të jetë një takim me aromë elite, pasi të dy skuadrat janë me një histori të madhe në futbollin. Pritet një takim i bukur dhe me shumë emocione.

E prisni të vështirë që ta fitoni këtë ndeshje?

Ne hyjmë në fushë për të marrë tri pikët. Patjetër që ne duhet ta fitojmë këtë ndeshje.

Tashmë sytë janë te “play off”-i. E shikon të kalueshme?

Po e shikojmë çdo ditë që futbolli nuk ka diferenca të mëdha. Çdo ekip mund të fitojë kudo. Ndaj, edhe ne besojmë te grupi që kemi, kështu që mendoj se kemi shanset tona.

Keni preferencë për ekipin e Superiores në finalen e “play off”-it?

Të them të drejtën, as nuk e mendoj fare emrin. Kemi dy finale të tjera përpara se të shkojmë atje. Ndaj të jemi të përqendruar deri në fund. Pak rëndësi ka emri i kundërshtarit, pasi duhet të jemi të fokusuar te dy finalet që kemi përpara.

Keni një mesazh për tifozët për ndeshjen me Elbasanin?

I ftoj që të jenë të shumtë dhe të na mbështesin sikundër kanë bërë deri më tani. Vlora ka tifozë të zjarrtë dhe që e duan Flamurtarin. Ne kemi nevojë shumë për ta në këtë fazë. Kam bindjen se do të jenë pranë nesh.

Si po të duket ky rikthim në Vlorë?

Vlora vazhdon të jetë po njësoj, si ajo që lashë para disa viteve, e bukur dhe dashamirëse e sportit. Shpresoj shumë t’i rikthejmë Vlorës lavdinë që i takon.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"