Mbylli sezonin pas një dëmtimi të rëndë, reagon mbrojtësi i Kastriotit: Shihemi pas gjashtë muajsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2023 | 11:00

Mbylli sezonin pas një dëmtimi të rëndë, reagon mbrojtësi i Kastriotit: Shihemi pas gjashtë muajsh

Malazezi Martin Prenkoçeviç, i cili iu bashkua Kastriotit në verën e shkuar, ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe duhet të qëndrojë rreth gjysmë viti jashtë fushave të blerta. Dëmtimi i tij ndodhi pas ndeshjes së zhvilluar ndaj Tiranës në Kamzë, kur bardheblutë fituan me shifrat 0- 1 me një gol të Nikqit në minutat e fundit. Pas ekzaminimeve mjekësore rezultoi se ai ka këputur ligamentin e gjurit dhe iu nënshtrua operacionit.

prenkocevic

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Prenkoçeviç shprehet se gjithçka ka shkuar me sukses dhe ka nisur fazën e rikuperimit. Ai luajti në 17 ndeshje në këtë sezon me Kastriotin. Ai aktualisht është kthyer në Malin e Zi.

Martin, keni kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Si shkoi?

Po, për shkak të dëmtimit që pësova në ndeshjen ndaj Tiranës rezultoi se kisha këputur ligamentin e gjurit. U operova dhe fatmirësisht shkoi me sukses. Ndërhyrjen e kreva në Tiranë dhe tani jam kthyer në atdhe.

Sa kohë ju kanë thënë mjekët se ju duhet për t’u rikuperuar?

Mjekët më kanë treguar se do të më duhet të paktën gjashtë muaj për t’u rikuperuar plotësisht.

Keni pasur kontakte me klubin e Kastriotit?

Po, janë interesuar mjaft. Drejtori teknik më ka telefonuar shumë herë dhe lojtarët po ashtu janë interesuar dhe më kanë pyetur se si kanë shkuar gjërat.

Kur do të ktheheni në fushë për fazën e fundit të rikuperimit?

Tani jam me familjen në Malin e Zi. Këtu do të qëndroj 5 muaj. Do të nis rikuperimin dhe pastaj gradualisht do të shohim se si do të jetë gjendja.

SH. HASANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"