“Mbushni stadiumin dhe festojmë së bashku”, Trifoni: Mundim Bylisin, barazimi nuk është për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 21:36

“Mbushni stadiumin dhe festojmë së bashku”, Trifoni: Mundim Bylisin, barazimi nuk është për ne

Apolonia luan të dielën një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit. Fierakët do të presin Bylisin kryesues në orën 14:00 në stadiumin “Loni Papuçiu”. E dinë shumë mirë se çfarë duan nga kjo kryendeshje e javës së 9-të, ndaj i kanë marrë të gjitha masat për ta fituar. Këtë e thotë edhe Xhovalin Trifoni për “Panorama Sport”.

IMG_9146-scaled

Sulmuesi është i bindur për vazhdimësinë, por ka edhe një kërkesë për tifozët. “Ecuria jonë nuk është aspak rastësi dhe aq më pak çështje fati. Të tregohem i sinqertë, ekipi ka ardhur gradualisht në formë të mirë, qoftë në lojë dhe në rezultate. Tani kemi derbi dhe e parashikoj të luftuar nga minuta e parë e deri në sekondën e fundit.

Në këtë ligë, nuk ka ndeshje të lehta dhe kjo me Bylisin është edhe më e vështirë. Sidoqoftë, ne luajmë vetëm për tri pikët dhe ky është objektivi i vetëm që kemi. Nuk kënaqemi në asnjë mënyrë me barazimin, sepse Apolonia me këdo që luan synon të marrë maksimalen, për më tepër që ndaj Bylisit luajmë edhe në ‘Loni Papuçiu’. Nuk mund t’i zhgënjejmë kurrsesi tifozët. U bëj thirrje të mbushin shkallët e stadiumit. Në këtë derbi i duam në krah.

IMG_9105-scaled

Me atmosferën elektrizuese, gjithçka do të jetë edhe më e lehtë. I pres të festojmë së bashku. Për sa kohë ndeshen dy vendet e para, është ndeshje shumë e rëndësishme. Por jo vendimtare. Të dielën nuk përfundon asgjë. E rëndësishme është që ne të japim maksimumin tonë dhe të mendojmë vetëm për Bylisin, asgjë tjetër nuk ka rëndësi.

Do të doja të shënoja, ashtu si në dy derbet e fundit. Edhe pse nuk ka rëndësi se kush e çon topin në rrjetë. Në fund ne na vlejnë pikët. Sidoqoftë, unë do të bëj gjithçka që Apolonia të triumfojë, qoftë edhe me asiste”, përfundoi 19-vjeçari.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"