Mbron, ndërton dhe shënon/ Kasemiro ekuilibristi i Brazilit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2022 | 23:08

Mbron, ndërton dhe shënon/ Kasemiro ekuilibristi i Brazilit

Ndoshta deri në minutën e 82-të edhe italianët mund të jenë ndier më të lehtësuar: “Epo ja, edhe Brazili i madh barazon 0-0 me Zvicrën, jo vetëm ne…” Por pa mbaruar ende mendimin dhe sheh Kasemiron që pasi merr një top në zonë dhe anohet si kulla e Pizës për të gjetur koordinimin e duhur dhe të shkundë rrjetën.

KASEMIRO VINICIUS

Ndërsa shokët e mbuluan me përqafime, mund të imagjinosh edhe Zinedin Zidanin në një kolltuk, përpara televizorit, totalisht krenar, sikur të ishte në ditën e diplomimit të djalit të tij dhe të komentonte duke buzëqeshur:

“Ia dole, si gjithmonë edhe këtë herë fitove ti”. Fundja, nëse bota sot shijon Kasemiron, që ndoshta nuk ka klasin e Ronaldinjos apo Nejmarit, por që gjithmonë është prezent në zemër të aksionit, si në mbrojtje ashtu sikurse në sulm, sigurisht që të gjithë duhet të falënderojnë Zinedin Zidanin. Në sezonin 2014-2015 është Zidan që e kthen, pasi ishte degdisur që të luante i huazuar.

Presidenti Florentino Perez i kishte vënë mbi tryezë “Zizusë” çek të bardhë për të zgjedhur një mesfushor, por mes shumë yjeve, ai do vetëm Kasemiron. Perez i thotë të mos tallet, por ku Zidan ndryshon mimikë dhe nis të nervozohet, edhe një si bosi i Realit të Madridit dorëzohet dhe i plotëson kërkesën:

“Nuk dua cilësi. Kemi shumë të tillë në grup, kemi për të shitur. Kam nevojë për një mesfushor që më jep ekuilibër, por që mbi të gjitha i jep ekuilibër dhe i lejon që të luajnë më të qetë edhe dy si Kros e Modriç. Dua Kasemiron dhe pikë”.

Dhe Zidan kishte të drejtë, shumë madje, pasi në dy sezone e gjysmë në Madrid fiton 3 Champions dhe njeriu që nuk del kurrë jashtë formacionit të tij është vetëm Kasemiro, ai njeri që tashmë Reali me largimin e trajnerit francez e ka humbur. Por ndërkohë, ata që po nisin ta shijojnë dhe të jenë të varur totalisht prej cilësive të tij janë Mançester Junajtid, ku menjëherë hyri dhe vendosi ekuilibër.

Por mbi të gjitha Kombëtarja e Brazilit, e cila duke parë skemat ultraofensive të urdhëruara nga trajneri Tite, ai që bën balancuesin e që mban tërhequr dhe pranë njëri-tjetrit në bllok të tria repartet, është vetëm ai, Kasemiro. Kartoni i tij u pagua 70 milionë euro nga Junajtid dhe Karlo Ançeloti, siç e tha vetë, as që tentoi ta frenojë.

Arsyeja, sepse duke fituar gjithçka me Realin, ai kishte nevojë për një sfidë tjetër, për një tjetër mision të pamundur dhe ai ishte Mançester Junajtid. “Djajtë e Kuq” kanë bërë zgjedhjen e duhur, por ndërkohë e joshën edhe me 20 milionë euro neto si rrogë në sezon, ndonëse një si Kasemiro i meriton totalisht, pasi sot për sot, vështirë se ka një mesfushor shkatërrues-ndërtues më të mirë se ai në qarkullim dhe Zvicra e shqiptarëve e kuptoi nga shumë pranë këtë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"