Mbrojtja e Vllaznisë nuk gjen rehat, e “paguan” Gurishta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2023 | 22:57

Mbrojtja e Vllaznisë nuk gjen rehat, e “paguan” Gurishta

Vllaznia e mbylli fazën e dytë në vendin e tretë me 28 pikë dhe duke qenë gjashtë pikë larg kreut. Objektivi madhor i kuqebluve është titulli kampion, ndërsa ai minimal mbetet një vend në Kupat e Europës.

GURISHTA

Nëse sot do të mbyllej gjithçka, shkodranët do të ishin pjesë e Ligës së Konferencës. Gjithsesi, humbja e fundit në Ballsh ka kthyer me këmbë në tokë shkodranët, pas asaj ecurie fantastike që patën mes kampionatit dhe Kupës.

Mirëpo, shqetësimi më i madh i stafit teknik në këto dy faza është pa dyshim situata me dëmtimet. Që pas javës së dytë, kur shkodranët mundën Kukësin në “Loro Boriçi”, nisi “saga” e dëmtimeve me Liridon Latifin, që qëndroi tre muaj jashtë fushave. Më pas kosovari u rikthye dhe fati nuk ishte me të, pasi u dëmtua sërish. Ai ka munguar në shumicën e takimeve, duke iu përsëritur i njëjti dëmtim dhe detyruar trajnerin Mirel Josën të bëjë plane pa të për një kohë të gjatë. Por, Latifi nuk ishte i vetmi, sepse më pas kjo u shoqërua me një “lum” dëmtimesh, që nuk kanë fund. Esin Hakaj, Darko Bulatoviç, Dajan Shehi, Lorik Boshnjaku, Kaina Nunjesh, Ante Aralica dhe së fundmi Marko Juriç, kanë qëndruar për një kohë të gjatë jashtë fushe, duke penalizuar jo pak ecurinë e skuadrës.

Titullarë si Latifi, Bulatoviç, Juriç dhe Boshnjaku kanë qëndruar më tepër jashtë. Mungesa të tilla kanë bërë që Josa jo rrallë herë të modifikoj në skuadër, madje edhe të improvizojë me pozicionet e disa lojtarëve. Reparti i mbrojtjes ka qenë më i prekuri në këto dy faza. Madje në qendër të mbrojtjes ka luajtur edhe mesfushori shkatërrues, Boshnjaku.

KAPITENI – Pas portierit Bojan Zogoviç, lojtari që ka më shumë minuta dhe që po tregon cilësitë e tij në çdo pozicion të fushës ku po i kërkohet është kapiteni Erdenis Gurishta. Në nëntor të vitit të kaluar ai u grumbullua për herë të parë nga Kombëtarja shqiptare dhe ish-trajneri Edi Reja befasoi me pozicionin e tij. Gurishta ka luajtur historikisht si mbrojtës i djathtë te Vllaznia, por në debutimin e tij në Kombëtare e nisi si qendërmbrojtës.

Por, duke qenë se Bulatoviç dhe Juriç u dëmtuan dhe qendra e mbrojtjes kuqeblu mbeti vetëm me Dajan Shehin, edhe Josa mendoi që Gurishtën ta spostonte. Pra, nga krahu i djathtë, prej shumë ndeshjesh, kapiteni po luan si qendërmbrojtës, ndërsa në pozicionin e tij të mirëfilltë është preferuar herë Smajli dhe herë Kruja. Duket se dëmtimet e të tjerëve tashmë po i “paguan” Gurishta, i cili po fiksohet gjithnjë e më tepër si qendërmbrojtës.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"