Mbrojtja e Besës “fut ujë”, 15 gola të pësuar pas vetëm 540 minutash!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2023 | 18:37

Mbrojtja e Besës “fut ujë”, 15 gola të pësuar pas vetëm 540 minutash!

Kurrë nuk kishte ndodhur në historinë 98-vjeçare, që Besa të fuste kaq “ujë”. Në vetëm 6 javë të luajtura në këtë kampionat, verdhezinjtë kanë pësuar plot 15 gola.

besa

Janë “kampionët” e Kategorisë së Parë për këtë pjesë, pasi askush nuk ka marrë kaq shumë sa ata. Një mesatare prej 2,5 golash në një ndeshje. Ky rekord negativ ka arsyet e veta, që janë evidentuar edhe nga vetë drejtuesit kavajas. Trajneri Lorenc Pashja disa herë e ka deklaruar se drejton një grup me futbollistë në moshë të re dhe pa përvojë.

Mjafton t’u sjellim faktin, se qendërmbrojtësit janë dy të rinj si Ersi Kapo dhe Florent Berisha. Vetë shifrat flasin. Në dy transfertat në Burrel e në Vorë, janë pësuar nga 4 gola dhe 3 të tjerë në fitoren 4-3 me Lushnjën. Do të ishte ky shkaku që presidenti Nexhat Bizhdili thirri në apel, përsëri dy nga lojtarët me përvojë në prapavijë. Edhe pse ishin larguar, Skerdian Perja dhe Rahim Ramilli u kthyen në “bazë”.

E megjithatë, ata ende nuk kanë luajtur asnjë minutë. Kanë qenë totalisht pa stërvitje dhe u duhet ende kohë që të kapin formën e tyre optimale. Gjë që e konfirmon edhe shijakasi Ramilli për gazetën: “Ende nuk jam në 100% tim fizikisht dhe me shumë mundësi, pas sfidës me Flamurtarin do të jem gati. Në ndihmë do të më vijë ndërprerja e garës prej Kombëtares”. Thënë ndryshe, verdhezinjtë do të “vuajnë” edhe ndaj Flamurtarit dhe vetëm pas pauzës do t’i shtohen alternativat në prapavijë, aq të domosdoshme për ekipin në këto momente që po kalon.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"