Mbrojtësi shkodran luan prej 12 vitesh në Lezhë, kapiteni Dibra: Besëlidhja nuk e dorëzon më kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 15, 2024 | 17:52

Mbrojtësi shkodran luan prej 12 vitesh në Lezhë, kapiteni Dibra: Besëlidhja nuk e dorëzon më kreun

Besëlidhja e nisi mbarë fazën e dytë të kampionatit të Kategorisë së Dytë duke kap kreun pas fitores së pastër 3-0 ndaj Valbonës. Deri të shtunën e kaluar, skuadra tropojane kishte mundur ta mbante e vetme kreun nga starti.

Dibra Klejdi 10

Kapiteni i Besëlidhjes, mbrojtësi shkodran Kledi Dibra, i cili prej 12 sezonesh mban veshur fanellën e lezhjanëve, ndaj Valbonës kontribuoi me një gol. “Fitorja që morëm të shtunën ishte e pritshme, pasi ishim përgatitur fort nga të gjitha pikëpamjet, për të qenë në lartësinë e duhur. Ekipi, nën drejtimin e trajnerit Dritan Smajli, po ecën mjaft mirë në rrugën drejt objektivave.

Zbritja e Besëlidhjes në këtë kategori ishte vetëm një aksident, por që na kushton një sezon. Gjithsesi, tani që e kapëm kreun jemi drejt rikuperimit dhe do t’ia dalim të rikthehemi aty ku ishim, nga ku do të rinisim luftën për objektivat madhorë të Besëlidhjes. Tani po punojmë fort për transfertën e radhës ndaj Albanëve. Pavarësisht paraqitjes, apo vendit që ekipet zënë në tabelë, ne i konsiderojmë të gjitha ekipet rivale serioze, ndaj edhe kemi pasur sukses.

Jam i bindur se me punë në stërvitje dhe grintë e kujdes në fushë, sukseset e fazës së parë do t’i vijojmë edhe më mirë. Ky sezon le të arkivohet për historianët, Besëlidhja meriton shumë më shumë”, u shpreh kapiteni Kledi Dibra për “Panorama Sport”.

PRENG GJIKOLA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"