Mbrojtësi rikthehet në fushë për Bajernin në Kupë, Tuhel: Kombinimi Kejn-Sane, tjetër nivel

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2023 | 9:50

Mbrojtësi rikthehet në fushë për Bajernin në Kupë, Tuhel: Kombinimi Kejn-Sane, tjetër nivel

Suksesi më shifrat e thella ndaj Bohumit, e shoqëruar me ceremoninë e “Oktoberfest”, duket se kanë “velur” kampionët këto ditë. Megjithatë, ekipi i Tomas Tuhelit do të inkuadrohet në fushë mbrëmjen e sotme ndaj modestëve të Preusen Mynshter, e vlefshme për raundin e 1/32-ave në Kupë.

kejn tuhel

Është fakt se bavarezët nuk e kanë varur medaljen e fituesit në qafë për turneun në fjalë prej sezonit të lavdishëm 2019-2020, aty ku ata u “kremtuan” edhe me tripletën e fundit.

Tuhel përpara duelit me Mynshter ka dalë në intervistë, duke folur rreth mekanizmave në ekip, arsyeja e lënies së Musialës në stol përballë Bohumit dhe se cilët do të jenë lojtarët që do të zbresin në fushë.

GJENDJA E MUSIALËS- ”Pas përballjes me Mançester Junajtidin, Musiala nuk u ndie mirë fizikisht. Në konsultim me të vendosëm ta linim pushim. S’është momenti të rrezikojmë. Prandaj dua që grupi te jetë në formën më të mirë atletike. Xhamal bën diferencën dhe ka kërkesa të larta për veten sa herë që zbret në fushë. Nuk e kam një përgjigje konkrete nëse do të jetë i disponueshëm në Kupë”, tha “timonieri” i kampionëve të Bundesligës.

RIVALI- ”Preusen Mynshter do të luajë pa presion dhe kjo është pozitive për ta. Pres që kundërshtari të japë më të mirën, aq më tepër kur luan kundër Bajernit. Inkuadrimi me mbështetësit e tyre mund të ndikojë si komponent në besimin e vendësve. Megjithatë ne e kemi të qartë objektivin, fitoren dhe dominimin e ndeshjes. Ne dëshirojmë të shkojmë minimalisht në finalen e Berlinit dhe për këtë detyra fillon ndaj rivalëve aktualë”.

SULMI PERFEKT- ”Leroi Sane dhe Herri Kejn flasin të dy anglisht rrjedhshëm dhe e kanë ndihmuar për ta kuptuar. Pastaj stili i tyre gjen qasje fantastike. Leroi po përjeton formë të jashtëzakonshme, plus që gjuha e trupit ia ka bërë më të lehtë punën. Po ashtu, ai studion deri në detaje daljet e Herrit dhe krijon panik në zonën mike. Duket sikur janë bërë për njëri-tjetrin në kualitetet që zotërojnë, që po jep produktin me gola, asiste dhe spektakël”, shtoi trajneri gjerman.

FORMACIONI- ”Ende mungon vendimi i prerë se kush do ta nisë nga minuta e parë. Rafael Guerreiro do të jetë i gatshëm, pas një periudhe të gjatë lëndimi. Fatkeqësisht De Ligt s’është në dispozicion për të dhënë kontributin në prapavijë. Ai ka disa shqetësime dhe duhet të presë momentin e përshtatshëm drejt rikuperimit total. Kim dhe Upamekano me shumë gjasa do të formojnë binomin qendror. Ndërsa në portë Daniel Perec do të bëjë debutimin”, përfundoi Tomas Tuhel.

Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"