Mbrojtësi Ramilli rikthehet nga pezullimi, Besa pret Bylisin në “Arenën e Demave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 15:45

Mbrojtësi Ramilli rikthehet nga pezullimi, Besa pret Bylisin në “Arenën e Demave

Besa pret Bylisin, por kësaj radhe nuk do të luajnë në Luz, por në kryeqytet, në “Arenën e Demave”. Takimi do të luhet nesër në orën 14:00 në shtëpinë e Partizanit. Myslym Ramilli është padyshim një nga shtyllat e prapavijës së Besës.

Myslim Ramilli, mbrojtësi 29-vjeçar i Besës 10

Ai i mungoi ekipit në 4 sfidat e fundit pas dënimit që mori nga Komisioni i Disiplinës. Ai e ka shlyer dënimin dhe në prag të përballjes me Bylisin, për “Panorama Sport” Ramilli deklaroi: “Normal që kushdo dëshiron të luajë, aq më shumë që unë erdha me dëshirë e bindje për t’i dhënë Besës përvojën time. Nëse deri në dhjetor mu desh të djersija shumë për shkak të moshës së re të shokëve, tashmë konstatoj me kënaqësi se grupi ka ardhur në formë me përforcimet e janarit.

Mungesa ime në ndeshjet e fundit është kompensuar me fitoret e ekipit dhe natyrisht që jam ndjerë mjaft mirë, pavarësisht se në tribunë.  Bylisi? Jemi ndeshur me të gjitha ekipet dhe besoj se Bylisi ka grupin më të mirë. Rezultatet e tij e vërtetojnë këtë. Përtej pikëve, Bylisi meriton vlerësim maksimal në fushë, pasi mbetet ekipi më i rrezikshëm. Besa pas janarit është tërësisht ndryshe nga ajo e fazës së parë. Ka stabilitet dhe kualitete në të tria repartet, por për shkak të kohës së shkurtër akoma nuk jemi harmonizuar plotësisht.

Sulmuesi Mustafa Ba e lehtëson disi presionin mbi ne, pasi merr vëmendjen e kundërshtarëve. Përtej asaj që ka bërë Bylisi, ne do futemi në fushë për të marrë rezultat pozitiv”. Nuk dihet nëse Ramilli do të rifutet në formacion, por e sigurt është se do të jetë i gatshëm për trajnerin Lorenc Pashja.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"