Mbrojtësi Luta i dëshpëruar nga dëmtimi i rëndë në stërvitje. Tomori me tre mungesa në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2024 | 19:57

Mbrojtësi Luta i dëshpëruar nga dëmtimi i rëndë në stërvitje. Tomori me tre mungesa në Ballsh

Fillimi i fazës së tretë i ka rezervuar një transfertë të vështirë Tomorit, atë me Bylisin. Në Berat këtë e kanë cilësuar si një pengesë të pakapërcyeshme për vlerat dhe pretendimet që paraqet Bylisi. Tomorit do t’i mungojnë tre titullarë në këtë transfertë, si mbrojtësi Luta, mesfushori Ndreaj dhe sulmuesi Obando.

Luta Alen 9

Mungesa të rëndësishme, të cilat e bëjnë akoma më të pashpresë Tomorin për t’i bërë rezistencë Bylisit. Ndreaj dhe Obando munguan edhe ndaj Flamurtarit, por së fundmi listës së dëmtimeve i është shtuar edhe qendërmbrojtësi Alen Luta, i cili para dy ditësh pësoi një dëmtim të rëndë në stërvitje. Dyshohet se ai ka pësuar këputje ligamenti, por që është në pritje të rezonancës për të mësuar shkallën e dëmtimit.

“Më vjen keq që ky dëmtim erdhi në momentin më vendimtar të sezonit. Jam i dëshpëruar që nuk mund të ndihmoj skuadrën në këto momente kaq të vështira. Jam në pritje të rezultatit të rezonancës, për të mësuar shkallën e dëmtimit dhe periudhën e rikuperimit. Dua të falënderoj shokët e skuadrës dhe tifozët që më kanë qëndruar afër dhe po më inkurajojnë. Do të bëj gjithçka që të rikthehem edhe më i fortë se më parë në fushën e blertë”, u shpreh qendërmbrojtësi Alen Luta për “Panorama Sport”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"