Mbrojtësi Joni Nurja: Na vjen keq për Luzin, por Besa është e dënuar për fitore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2024 | 23:16

Mbrojtësi Joni Nurja: Na vjen keq për Luzin, por Besa është e dënuar për fitore

Nuk ka ndodhur kurrë më parë, që dy ekipet e rrethit të Kavajës të takohen kushte të tilla. Të dy ekipet kanë nevojë imediate për pikë, Besa për të avancuar në tabelë dhe Luzi për t’i ikur fundit. Ky derbi, në kushte të tjera mund të ishte edhe “miqësore”, por në këto momente askush nuk dëshiron të lerë pikë.

joni nurja besa

Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i Besës, Joni Nurja, pohoi se situata nuk i pëlqen, ndaj kërkohet vazhdimësia edhe ndaj Luzit. “Do të doja që me Luzin të mos takoheshim kurrë në kushte të tilla. Luzi sikurse e dini është dënuar dhe nuk do të isha i lumtur në se ne i jepnim një tjetër goditje. Është i vetmi klub privat në Kategorinë e Parë dhe meriton gjithë komplimentet për stadiumin, terrenin, grupin.

Futbolli është lojë dhe i pari vjen interesi i ekipit tënd, përtej vlerësimit për kundërshtarin. Ne kemi gabuar aq shumë sa ndaj Luzit nuk kemi alternativë tjetër veç fitores. Grupi po punon çdo ditë për të arritur koordinimin pas afrimeve të shumta. Besoj se tani kemi grupin që i shkon për shtat emrit të Besës. Kemi stabilizuar të tri repartet me lojtarë cilësorë.

Jo vetëm kaq, por në ekip është rritur konkurrenca, aq sa disa titullarë që nuk diskutonin vendin deri në dhjetor, tani duhet të djersijnë fort”, u shpreh Nurja. Takimi duhet të luhej në shtëpinë e Luzit, por duke qenë se Luzi është dënuar nga Disiplina me katër jashtë fushe dhe pa spektatorë, përballja do të luhet në Lushnjë.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"